Kosova dhe Andorra vendosin marrëdhënie diplomatike
Kosova dhe Andorra kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Në emër të dy vendeve, Ambasadori i Republikës së Kosovës, Ilir Dugolli dhe Ambasadorja e Principatës së Andorrës, Ev Descarrega, kanë nënshkruar në Bruksel, “Protokollin për Vendosje të Marrëdhënieve Diplomatike” ndërmjet dy vendeve.
Ministria e Jashtme e Kosovës, informon se krahas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, përmes protokollit të nënshkruar, dy vendet shprehin aspiratën e forcimit të marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit në fushën politike, ekonomike e kulturore. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike, pason njohjen e Kosovës nga Andorra tre muaj më parë.