Ndryshimi i sistemit sipas “The New York Times”
Albert Gjoka
Këto ditë mbushen plot 19 vjet nga lëvizja studentore e dhjetorit të vitit 1990, e cila i dha goditjen përfundimtare “murit” komunist në Shqipëri. Sa herë që flitet për një të kaluar relativisht të afërm, paragjykimet apo interesat e ngushta të momentit nuk na lënë të gjykojmë objektivisht. Përderisa shumica e protagonistëve janë ende gjallë, ndonëse një pjesë e tyre nuk ushtrojnë aktivitetin e tyre të përditshëm në institucionet që dolën nga llogoret e asaj periudhe, gazeta “Albania” e gjeti të udhës që të risjellë edhe një herë për lexuesit e saj, një këndvështrim të jashtëm për zhvillimet e 19 viteve më parë. Gazeta amerikane “The New York Times” i ka kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme zhvillimeve politike të fillim-viteve 90. Madje, ajo ka pasur reporter special David Binder, një prej gazetarëve më të njohur në SHBA dhe njohësin e shkëlqyer të mënyrës së funksionimit të sistemeve komuniste në Europën Lindore. Madje, ai ka raportuar për Shqipërinë në “NYT” për rreth 40 vjet, duke e nisur që prej ngritjes së Murit të Berlinit. Binder, e ka përfunduar karrierën e tij gazetareske si raportues për politikat e Ballkanit në fillimin e viteve 2000. Ai ka qenë dëshmitar i gjallë i shumë prej momenteve pikante të ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Madje, Binder, ka ndjekur ekipet elektorale të zotit Berisha dhe mbështetësve të Partisë Demokratike që në zgjedhjet e para pluraliste të marsit të vitit 1991.
Në këtë shtojcë të gazetës, kemi përzgjedhur katër prej artikujve të shkruar nga e përditshmja prestigjioze amerikane rreth lëvizjeve të para demokratike në Shqipëri; protestat e nisura në Shkodër, Kavajë dhe Tiranë, por edhe ftesën që Tirana komuniste i bëri sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të asaj kohe, Peres De Kuelar. Paraqitja e kërkesës nga ministri i Jashtëm Reis Malile për kreun e OKB-së ishte një sinjal i fort hapjeje për Perëndimin. Madje, në një mënyrë të tillë u interpretua nga mediat dhe përfaqësuesit e institucioneve të huaja. Po ashtu, në këto shkrime që po iu risjellim lexuesit të gazetës, jepen detaje interesante edhe për gjendjen politike dhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në Shqipëri. Këto artikuj, ndonëse nuk kanë bollshmëri apo saktësi informacioni për zhvillimet e brendshme në Shqipëri, së paku kanë një vlerë për lexuesit përsa i përket këndvështrimit të tyre dhe për interesin e treguar nga SHBA dhe Perëndimi në lidhje me ndryshimin e regjimit në vendin tonë.
2 Dhjetor 2009