E Diel, 1 Nëntor 2026

PD ndahet në dy fraksione që në Kongresin e vitit 1991



David Binder

Kur u hapën shkollat, pas përfundimit të pushimeve verore, autoritetet arsimore shqiptare ishin skandalizuar kur zbuluan se mbi 740 objekte shkollore ishin shkatërruar; - ishin thyer dritaret, dyert, bankat dhe pajisje të tjera. Kjo ishte një tjetër shenjë e kaosit në këtë vend të Ballkanit, ku 3.5 milionë banorët e tij janë më të varfrit e Europës. Pas një vere, ku rreth 20 mijë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve të rinj, u përpoqën që të largoheshin nga vendi, por shumë prej tyre u rikthyen nga Italia, dolën në skenë një valë e madhe hajdutësh dhe kusarësh që pushtuan gjithë vendin. Gjatë muajit gusht, 27 vagonë mallrash në linjat hekurudhore iu ishin plaçkitur ngarkesat e tyre dhe të cilat u shitën më pas në tregun e zi.
Shqipëria në krizë
Qeveria komuniste e cila drejtonte vendin nuk i përmirësoi tekstet shkollore deri në pranverën e fundit, duke mbetur thuajse të pandryshuara. Me shkatërrimin e policisë sekrete gjatë muaj të parë dhe me demoralizimin e uniformave të policisë dhe të ushtrisë, e cila ka pasur ndryshime të vazhdueshme në drejtimin e saj në këtë periudhë të trazuar, ka një rënie të rendit publik në vend.
Ekonomia vazhdon të përkeqësohet. Niveli i pagave arrin nga 40-60 dollarë në muaj. 2/3 e forcës punëtore shqiptare merren me bujqësi, pjesa më e madhe e të cilëve me punë krahu. Tani fshatarësia është përqendruar në marrjen e tokës, në bazë të ligjit të privatizimit, i dalë pas katër dekadash kolektivizim.
Apeli për ndihma
Gramoz Pashko, zëvendës-kryeministër, i ngarkuar për reformën ekonomike, thotë në një intervistë se “Shqipëria ka një borxh të jashtëm rreth 400 milionë dollarë”. “Nëse do të kishim gjysmë miliardi dollarë asistencë, ne do të mund ta shpëtonim Shqipërinë, jo vetëm për këtë dimër, por për të gjithë jetën”, - thotë ai. “Ne do të kishim një ekonomi tregu reale dhe njerëz që nuk do të vdesin për bukën e gojës”. Por, me përjashtim të Italisë, e cila është duke ofruar një mbështetje të konsiderueshme, veçanërisht në ushqime, vetëm një prurje e ndihmës së huaj mund të shpëtojë vendin, përfshirë edhe premtimin e bërë nga Shtetet e Bashkuara.
Kriza brenda të majtës
Përkundër kësaj panorame, situata politike, gjithashtu, është duke u përkeqësuar. Partia Komuniste, e cila fitoi rreth 70 përqind të vendeve në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e para shumëpartiake në Shqipëri, që prej Luftës së Dytë Botërore, ndodhet në agoni. Ajo është përçarë në më shumë se katër fraksione pas ndryshimit të emrit të saj në Partia Socialiste. Pas protestave të pranverës së kaluar, komunistët ranë dakord që të ndanin pushtetin me Partinë Demokratike në opozitë, duke krijuar një koalicion qeverisës të “stabilitetit kombëtar”. Komunistët, akoma mbajnë pozicionet më të rëndësishme të pushtetit në Shqipëri, por nuk janë më sigurt në sundimin e tyre.
Nisin fraksionet në PD
Demokratët, të drejtuar nga Doktor Sali Berisha, një mjek kardiolog, kërkojnë të rrëzojnë komunistët përmes zgjedhjeve të reja. Por, në rrugën për të arritur qëllimet, udhëheqja e Partisë Demokratike është e ndarë nga brenda në dy fraksione, që janë duke sulmuar njëri-tjetrin me akuza të hidhura. Në njërën anë është Doktor Berisha, një figurë popullore. Në anën tjetër, është një grup me shtatë ose më shumë udhëheqës partie, ku përfshihen ekonomisti Gramoz Pashko, Genc Ruli, ministër i Financave dhe Azem Hajdari, një i ri, i papërmbajtur që drejtoi protestat e studentëve të Universitetit të Tiranës me fillimin e procesit për rrëzimin e komunizmit në dhjetorin e vitit të kaluar.
Ndarja nisi kur Doktor Berisha shkarkoi Frrok Çupin, kryeredaktorin e gazetës partiake “Rilindja Demokratike”, që kishte bërë emër si një disident gjatë sundimit komunist. “Unë e vendosa sepse ai është një spiun”, - tha Doktor Berisha. “Unë e dogja atë”. Të tjerë drejtues ishin të tronditur dhe ata e akuzuan Doktor Berishën se është duke vepruar me metodën e Enver Hoxhës, diktatorit shqiptar që vdiq në vitin 1985.
Çarja u duk edhe në javën e fundit të shtatorit, ku me datën 27 ishte Kongresi Kombëtar i kësaj partie. Në agjendë ishin zgjedhjet e kryetarit dhe të Këshillit Drejtues, si dhe vendimi se kur do të caktohet mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Shtatë kundërshtarët u përpoqën që të bindnin Berishën që të tërhiqej sepse ai kishte pjesën dërmuese të partisë falë një personaliteti dominues. Ai refuzoi. Në minutat e fundit ata propozuan dy kandidatura të tjera. Doktor Berisha hodhi kandidaturën e tij përpara Konventës me 561 anëtarë. Ai mbajti një fjalim të zjarrtë, fitoi shumë duartrokitje dhe në fund, mori 449 vota.

Shkrimi është publikuar në The New York Times më 8 tetor 1991
Titulli është redaksional

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›