E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat antikomuniste në Shkodër e Kavajë



David Binder

Agjencia zyrtare e lajmeve raportoi se turma protestuesish sulmuan sot ndërtesat publike në qytetin verior të Shkodrës, ku mbetën të plagosur disa policë. Po ashtu, raportohet se ka pasur dhunë në qytetin industrial të Kavajës, në vendin e demonstratave anti-komuniste të mbajtura në pranverën dhe në verën e këtij viti.
“Njësitë policore dhe ushtarake janë shpërndarë në Shkodër dhe Kavajë që të mbajnë nën kontroll protestuesit”, - thonë dëshmitarë dhe agjencia e lajmeve. Por, Tirana është e qetë pas një apeli që bëri presidenti Ramiz Alia në televizionin kombëtar ditën e mërkurë në mbrëmje, tre ditë pas demonstratave në kryeqytet që fillimisht kishin shënuar përplasje me forcat e sigurisë.
Agjencia e lajmeve thotë se protestuesit në Shkodër kanë qëlluar me gurë zyrat lokale të Partisë Komuniste, zyrat e qeverisjes vendore dhe ndërtesën e “Radio Shkodrës”. Ata i kanë cilësuar këto “akte vandale”.
“Duke përdorur shufra hekuri, disa protestues janë përplasur me njësitë policore, ku mbetën të plagosur shefi i policisë së rajonit, një tjetër oficer policie dhe një civil”, - thotë ATSH, duke shtuar se “qytetarët e Shkodrës, punonjësit dhe komunistët” kanë bërë përpjekje që të ndalojnë protestuesit, por kanë qenë të pasuksesshme”.
“Forcat e rendit publik dhe të ushtrisë kanë ardhur për të hyrë në veprim që të ndalojnë protestuesit”, - thotë agjencia.
Njoftimi i agjencisë së lajmeve është dhënë në mbrëmje edhe në Radio Televizionin Shqiptar. Shkodra, një qytet me 72 mijë banorë, që është konsideruar për një kohë të gjatë si kryeqyteti i intelektualëve në Shqipëri, ishte vendi i ngjarjes së demonstratave të dhunshme në Janar, ku qytetarët u përpoqën që të heqin statujën e Stalinit. Monumenti ndodhej në pjesën e poshtme të parkut, dhe ishte lëvizur në mesin e natës gjatë verës së kaluar.
Në Kavajë, një qytet industrial bregdetar, me 20 mijë banorë, pati protesta shkatërruese në rrugët e saj gjatë të mërkurës në mbrëmje, ku u prishën dritaret dhe dyert e dyqaneve. Ata ishin mbajtur nën kontroll nga njësitë policore.
Demonstrata të dhunshme anti-komuniste pati edhe në Mars, gjatë një ndeshje futbolli në Kavajë. Edhe një tjetër u shënua në korrik. Dëshmitarët thanë se “një protestues është qëlluar dhe një polic është vrarë gjatë tubimeve të korrikut.
Një dëshmitar raporton se këtë mbrëmje në Kavajë janë instaluar trupa ushtarake, njësi policore dhe makina për të ndaluar trafikun në rrugët kryesore të qytetit bregdetar. Ai tha se trupat ushtarake janë makina të blinduara dhe tanke dhe ndodhen të vendosura rreth 10 milje në veri të Durrësit, një qytet me 70 mijë banorë.
Vala e pakënaqësisë ka përfshirë qytetet shqiptare në mënyrë periodike gjatë 11 muajve të fundit, e nxitur pjesërisht nga shembujt e kryengritjeve popullore që rrëzuan qeveritë e tjera komuniste në Europën Lindore në vitin 1989. Qytetarët shqiptarë i ndiqnin këto kryengritje përmes radiove dhe televizioneve të huaja dhe edicioneve të lajmeve të televizioneve nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia.
Shqipëria është vendi i fundit i qeverisur nga komunistë në Europë përveç Bashkimit Sovjetik. Popullsia prej 3.3 milionë banorësh nuk ka njohur sistem tjetër për gjatë 46 vitet e fundit.
Këtë vit ekonomia është përkeqësuar dhe po shkon drejt greminës, të cilën presidenti Alia e përshkroi dy javë më parë “se ndodhet në prag të emergjencës”. Kjo ka ndikuar në rritjen e pakënaqësisë popullore. Në fillimin e muajit maj, zoti Alia nisi një program ndryshimesh nën flamurin e “demokratizimit” me qëllimet e përfshirjes graduale të parimeve të tregut të lirë dhe të pranimit të Shqipërisë në institucioneve politike dhe ekonomike të Europës Perëndimore.

Artikulli është publikuar në The New York Times më 14 dhjetor 1990
Titulli është redaksional

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›