E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e Prishtinës

Selektori i Kosovës, Arben Krasniqi, e ka publikuar listën e basketbollistëve të ftuar për turneun ‘Pavarësia 2011’, ku do të marrin pjesë edhe Liria, Tirana e Zrinjevac. Gjysma e lojtarëve të thirrur janë nga Sigal Prishtina, për shkak se lojtarët e klubeve tjera nuk janë të përgatitur sa duhet. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 12 shkurt 2011 në ora 12:40

Selektori i përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Arben Krasniqi, ka publikuar listën e basketbollistëve të ftuar për turneun ndërkombëtar ‘Pavarësia 2011’, i cili mbahet më 16 e 17 shkurt për nder të përvjetorit të tretë të pavarësisë së Kosovës

50 për qind e basketbollistëve të ftuar për këtë turne, në të cilin merr pjesë edhe skuadra tetovare Lira, Tirana dhe klubi kroat, janë lojtarë të Sigal Prishtinës, të cilën skuadër njëkohësisht e udhëheq përzgjedhësi kosovar Arben Krasniqi.

“Unë kam komunikuar me trajnerët e klubeve tjera para se ta përpiloj listën përfundimtare. Ata më kanë sugjeruar se lojtarët e skuadrave të tyre nuk janë aq të përgatitur për këtë turne, pasi me klubet e tyre nuk e kanë zhvilluar asnjë ndeshje të vetme që një muaj e gjysmë. Kjo është arsyeja e vetme pse kam ftuar më shumë lojtarë nga Sigal Prishtina, sepse ky ekip ka zhvillu ndeshje”, ka shpjeguar Krasniqi.

Përveç Edmond Azemit (Liria) dhe Gëzim Morinës (Union Olympia), basketbollistët e tjerë kosovarë që luajnë jashtë vendit nuk kanë mundur t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Krasniqit, pasi kanë obligime me klubet e tyre.

Ai do të llogaritë në shërbimet e tyre për të ardhmen, derisa ka bërë të ditur se i ka identifikuar rreth pesëmbëdhjetë lojtarë kosovarë që luajnë jashtë vendit, me të cilët synon ta ndërtojë një përfaqësuese të fortë.

“Me ata synojmë t’i nisim garat e para eliminatore pas pranimit tonë në FIBA. Por, FBK-ja duhet të na mbështesë shumë që t’i bindim ata të luajnë për Kosovën. Shumica nga ta veç kanë dëshirë të luajnë për Kosovën, por ne nuk duhet të ndalemi së punuari në këtë drejtim. Bëhet fjalë për lojtarë të rinj që opinioni nuk i njeh shumë, por ata kanë kualitete të larta”, theksoi Krasniqi.

Ndeshja e parë zhvillohet më 16 shkurt në Pejë prej orës 17:00 ndërmjet Zrinjevac dhe Lirisë. Kurse takimi i dytë luhet po në të njëjtën ditë në Pejë prej orës 20:00 ndërmjet përfaqësues së Kosovës dhe Tiranës.

Dy ekipet që mposhten në këto dy ndeshje, më 17 shkurt në Prishtinë prej orës 15:00 do të ballafaqohen për vend të tretë. Në të njëjtën ditë në kryeqytet, nga ora 17:15 do të zhvillohet finalja e turneut, në të cilën luajnë ekipet fituese nga dy ndeshjet e para.

Ahmetbasiq zgjedh Kosovën

Basketbollisti boshnjak, por i lindur në Kosovë, Mirza Ahmetbasiq i ka konfirmuar përzgjedhësit kosovar, Arben Krasniqit, se është i gatshëm t’i mbrojë ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës. Mësohet se vendimi i basketbollistit është mbështetur edhe nga prindërit e tij. Mirëpo, Krasniqi ka pohuar se ish lojtari i Bashkimit nuk do të mund të luajë për Kosovën në turneun ‘Pavarësia 2011’, pasi ai nga klubi i tij aktual i Bosnjës, Kakanj ka udhëtuar drejt Kroacisë për t’u testuar te skuadra e njohur kroate, Zara.

Lista e të ftuarve
Sigal Prishtina: Fahri Breca, Granit Rugova, Valentin Spaqi, Alban Veseli, Fisnik Rugova, Gazmend Sinani, Blerim Mazreku. Peja: Vigan Radoni, Samir Shaptahu, Rron Grapci, Edis Kuraja. Trepça: Gazmend Asllani. Liria: Edmond Azemi. Union Olympia: Gëzim Morina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›