E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat e Hysit

Drejtuesit e skuadrës së Hysit i kanë kryer obligimet ndaj futbollistëve, por u kanë vënë disa rregulla. Mungesat në stërvitje, barazimet dhe humbjet tash e tutje do t’u kushtojnë atyre me gjobë. Nëse klubi shpallet kampion, lojtarët e klubit bardh e zi do të shpërblehen me nga 1000 euro. Në të kundërtën, do të gjobiten me nga 500 euro. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 12 shkurt 2011 në ora 12:55

Drejtuesit e Hysit të premten i kanë kryer të gjitha obligimet ndaj lojtarëve të tyre, pasi këta të fundit, në shenjë pakënaqësie, të enjten kishin bojkotuar seancat stërvitore.

Mirëpo, që nga tani lojtarët e ekipit bardh e zi do të jenë të obliguar t’i respektojnë disa rregulla të reja, të vëna nga kryesia e klubit, sepse, në të kundërtën, do ballafaqohen me dënime.

Kryesia e klubit ua ka bërë me dije futbollistëve se do të dënohen me nga 50 euro, kur një ndeshje futbolli e përfundojnë me rezultat të barabartë – pa marrë parasysh se a luajnë si vendas apo si mysafirë.

Ndërsa, atëherë kur pësojnë humbje, qoftë si vendas apo si mysafirë, bardhezinjtë do të gjobiten me nga 100 euro. “Mirëpo, përveç dënimeve eventuale, ata do të shpërblehen me nga 100 euro sa herë që fitojnë”, deklaroi për Express kryeshefi ekzekutiv i klubit bardh e zi, Afrim Macula.

Madje, sipas tij, lojtarët do të shpërblehen me nga 1000 euro në rast se ia dalin ta fitojnë titullin e kampionit të Kosovës në futboll. Në të kundërtën, ata do të dënohen me nga 500 euro.

Megjithatë, Macula thotë se kryesia e klubit nuk i ka vënë këto rregulla vetëm sa për ta ndjekur me këmbëngulësi titullin e kampionit. “Nuk e kemi objektiv me çdo kusht titullin e kampionit, sepse në fund të fundit asgjë nuk fitojmë edhe nëse bëhemi kampion, sepse dihet që Federata e Futbollit e Kosovës nuk na stimulon me ndonjë shumë të hollash për të luftuar për titullin e kampionit”, vazhdoi Macula.

Por, ai pohon se këto rregulla do t’u shërbejnë futbollistëve për t’u bërë profesionistë të vërtetë. “Qëllimi është t’i vetëdijesojmë futbollistët tonë. Ata duhet të mësohen ta respektojnë profesionin e tyre maksimalisht. Ata duhet të mendojnë për të ardhmen e tyre. Të edukohen dhe të punojnë me qëllim që të kenë karrierë më të mirë. Pra, krejt këto rregulla janë në të mirë të futbollistëve”, tha ai.

Njëherësh futbollistët e klubit nga Merdarja do të jenë të obliguar që seancave stërvitore t’u qasen me seriozitet të shtuar, sepse, në të kundërtën, do të gjobiten.

Në fakt, secili lojtar i cili eventualisht mungon pa arsye në një seancë stërvitore, do të dënohet me 50 euro. Ndërsa mungesa e dytë pa arsye do t’i kushtojë 100 euro. “Por, nëse për të tretën herë një lojtar mungon pa arsye, atëherë ai do të suspendohet”, tregoi Macula.

Sipas tij, kryesia e klubit e ka parë shumë të nevojshme që ta nisë së aplikuari këtë formë të sjelljes me lojtarët e vet.

“Deri më tani, 15 euro ka qenë dënimi për një mungesë pa arsye në stërvitje. Ky dënim është shumë i butë, sepse për lojtarët nuk ia vlente që në mot të keq të dalin në stërvitje për t’i shpëtuar 15 euro dhe bënin shumë mungesa. Ata duhet të stërvitin sepse pa ushtrime nuk mund të bëhen lojtarë të mirë”, vazhdoi Macula.

Hysi e ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e dytë në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll me 33 pikë të grumbulluara, 6 më pak se kryesuesi, Prishtina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›