E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëlqim Malaj akuzohet për vjedhje me dhunë, u dorëzua në polici

28/01/2005  

Fiorentina Bombaj bashkë me të dashurin e saj Urim Çupi dhe shokun e grupit, Shkëlqim Malaj, djali i vëllait të Arben Malaj, organizuan grabitjen e kosovarit Maliq Shala. Prokurori Dritan Nushi, tha se njohja është bërë në lokalin e marrë me qira nga i pandehuri Shkëlqim Malaj. Vajza e ka joshur fillimisht shtetasin nga Kosova. Më pas e ka tërhequr në dhomat e hotel "Tirana". Sapo e pandehura Fiorentina dhe "gjahu" i saj janë futur në dhomë, dy shokët e saj të gatshëm janë hedhur në sulm. Urim Çupi dhe Shkëlqim Malaj, të veshur me maska, janë futur në dhomën ku ishte çifti. I pandehuri Malaj duke e kërcënuar me një thikë e ka detyruar të nxjerrë paratë. Shuma e vërtetë e parave nuk deklarohet, megjithëse para gjykatës është thënë se kosovarit i janë marrë 130 euro dhe 20 mijë lekë. Pas këtij veprimi, vajza largohet me dy djemtë, ndërsa Maliq Shala i drejtohet policisë. Në pranga vihen menjëherë Fiorentina Bombaj dhe Urim Çupi. Ndërsa, Shkëlqim Malaj shpallet në kërkim. Për dy të parët hetimi që nga korriku i vitit të kaluar u bë në gjendje arresti, ndërsa Malaj është dorëzuar në polici pak ditë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›