E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova formon komisionin për kufirin

• Prishtina dhe Shkupi së shpejti do të ulen në një tryezë bisedimesh për të zgjidhur çështjen e demarkacionit të mbetur pezull për vite më radhë.

Qeveria e Kosovës formoi dje komisionin që do të punojë për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Prishtina ishte e gatshme që të fillojë me Shkupin bisedimet për këtë çështje. Ai tha se problemi do të zgjidhej në përputhje me planin e Ahtisarit. Në këtë plan, propozohet që autoritetet e Kosovës dhe ato të Maqedonisë të formojnë komisionet e tyre, të cilat me ndërmjetësimin e NATO-s, do të bëjnë pastaj përshkrimin e kufirit kontestues. Prishtina nuk njeh një marrëveshje të arritur në vitin 2001 ndërmjet Beogradit dhe Shkupit, me të cilën Maqedonisë i jepen 2500 hektarë tokë të Kosovës. Maqedonia e ka kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës me shënimin e kufirit ndërmjet dy shteteve. Sipas kryeministrit Hashim Thaçi, Maqedonia tashmë ka marrë vendimin për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›