E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova humbi nga KEK-u, po me të tjerët?!

Nga Prishtina, Ejup LLUMNICA

Asgjë nuk ka shkuar sic kishte planifikuar përzgjedhësi i Kosovës, Edmond Rugova, në ndeshjen e dytë zyrtare të përfaqësueses së Kosovës, pasi që kundërshtari i saj, KEK-u, e ka koritur duke e mundur me rezultat 3:0, dhe njëherësh duke ua bërë me dije edhe përzgjedhësit edhe futbollistëve se ngjyrat e kombëtares mbrohen më me vullnet. "Disa nga të përzgjedhurit e mi sot nuk i kanë ndihmuar vetes për të ardhmen", qe deklarata e trajnerit Edmond Rugova në fund të ndeshjes, i cili plotësisht ka të drejtë të ndihet i zhgënjyer me paraqitjen e futbollistëve të tij.
Është parë qartë se futbollistët e KEK-ut kanë qenë shumë më të motivuar dhe se angazhimi i tyre, edhe përkundër se ata në vazhdim të kampionatit i pret një luftë e madhe për ekzistencë, aspak nuk ka munguar, gjë kjo që edhe u shpërblye me fitore të thellë. "Sikur sot mos e zhvillonim këtë ndeshje, atëherë askush nuk do ta kishte kuptuar se ku jemi. Me këtë që zhvilluam sot, kemi një pasqyrë më reale", vazhdoi Rugova.
"Elektricistët" shumë herët erdhën në epërsi. Pikërisht në minutën e 16-të, pas një tentim harkimi të Bajramit, era e fortë e drejtoi topin drejt në portën e Mushicës, i cili në këtë rast nuk e perceptoi si duhet dhe pësoi gol. Se të përzgjedhurve të Rugovës në këtë ndeshje nuk do t'u ecte asgjë, e vërtetoi edhe minuta e 17-të, kur nga penalltia dështoi Ilir Nallbani. Rezultatin në 2:0 e ngriti përforcimi më i ri i KEK-ut, Premton Muja, i cili, pasi u shërbye nga Bajrami, me lehtësi shënoi gol.
Debaklin në këtë ndeshje Kosovës ia solli Kodraliu në minutën e 35-të, pas harkimit të Valon Bajramit, i cili vërtet në këtë përballje ishte më se i disponuar për lojë.
Pjesëloja e dytë ka qenë më e mirë e futbollistëve të Kosovës, pasi që në këtë periudhë të dy trajnerët kishin bërë zëvendësime të mëdha në përbërjet e skuadrave.
Gjithsesi, kjo le të mbetet si mësim edhe për trajnerin, por edhe për ata që merren me futbollin, se rezultatet arrihen vetëm me punë. Duhet ta meritosh vërtet e jo të gjesh mënyra të tjera për të arritur deri te përfaqësuesja.
Kosova - KEK-u 0:3
Stadiumi "Agron Rama" në Kastriot
Shikues: Rreth 1500
Gjyqtarë: P. Hasani, E. Janjevaliu, A. Jupolli
K.K.: Hasi (KEK-u)
Golashënues: Bajrami (16'), Muja (30') dhe Kodraliu (35').
Kosova: Mushica, Skeraj, Alili, Krasniqi, Papuqi, Hyseni, Gashi, Kasapi, Nallbani, Emra dhe Hashani. U aktivizuan edhe: Brando, Idrizi, Dragusha, Hyseni, Ramushi dhe Bytyci
KEK-u: Latifi, Leci, Kodraliu, Visoka, Simnica, Zogiani, Bajrami, Izmaku, Salihu, Grabovci dhe Muja. U aktivizuan edhe: Morina, Musliu, Hashani, Hasi dhe Syla

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›