E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova i kërkon Serbisë të kthejë artefaktet

PRISHTINË-Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Serbisë që të veprojë në mënyrë parimore dhe të kthejë mbi 1200 artefakte të Kosovës, të cilat janë marrë nga Muzeu i Kosovës në vitin 1999. Këtë thirrje Ministri Krasniqi e ka bërë në takimin e radhës të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore, që u mbajt në Brdo, Slloveni.

Ministri Krasniqi, sipas zyrës së tij, tha se Serbia duhet të marrë shembull nga Gjermania që para disa ditëve ktheu në Kosovë shtatë artefakte që vite me parë ishin kontrabanduar. "Unë e përsëris thirrjen tonë drejtuar autoriteteve në Beograd që të veprojnë në mënyrë parimore, dhe që sa më shpejt të dy vendet tona të nisin procesin e kthimit të këtyre artefakteve në Muzeun e Kosovës. Nëse jemi të përkushtuar që të ndjekim parimet civilizuese evropiane, atëherë besoj se ky proces i kthimit nuk duhet të vonohet”, ka thënë Ministri Krasniqi në fjalën e tij, gjatë së cilës delegacioni serb, i prirë nga ambasadori në Slloveni, Aleksandar Radovanovic është larguar nga takimi.

Delegacioni serb është kthyer në takim pas përfundimit të fjalës së ministrit Krasniqi, duke reaguar rreth kërkesës për kthim të artefakteve. Ambasadori serb tha se kërkesa për kthim të artefakteve përbën një politizim të trashëgimisë kulturore, e me këtë rast ministri Krasniqi deklaroi se kërkesa për kthimin e artefakteve është parimore dhe aspak politike. Ai po ashtu deklaroi se nuk ka vend më të mirë se sa në Këshillin e Ministrave të Kulturës të EJ-së të shtrohet kjo çështje, pasi pikërisht kjo është nisma ku vendet e rajonit punojnë për bashkëpunim rajonal dhe për respektimin e diversitetit kulturor, si një vlerë të përbashkët.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Krasniqi ka shprehur kënaqësinë që për herë të parë Kosova po përfaqësohet në këtë takim, edhe pse si vëzhguese, por ka kërkuar dhe ka shprehur besimin se Kosova në takimin e ardhshëm të jetë anëtare e plotë e Këshillit. Me këtë rast ai shprehu kërkesën që Kosova të jetë anëtare e barabartë e çdo nisme rajonale e ndërkombëtar për kulturën dhe trashëgiminë. “Po ashtu, dua të shpreh synimin tonë të pakthyeshëm për të qenë shumë shpejtë pjesë e mekanizmave të tjerë shumë të rëndësishme, siç është UNESCO dhe Këshilli i Evropës, si dhe të institucioneve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Zv/ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Shqipërisë, Suzana Turku ka shprehur kënaqësinë për prezencën e ministrit Krasniqi në këtë takim, duke thënë se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Ministrave të Kulturës të EJ-së, e po ashtu kjo nismë rajonale të zgjerohet sa më shumë.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ministra e zv/ministra të kulturës të vendeve tjera të Evropës Juglindore, si dhe Komisionerja e BE-së për Kulturë, Edukim dhe Rini, Androulla Vassiliou, Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, si dhe Drejtoresha për Demokraci në Këshillin e Evropës, Snezana Samardzic – Markovic.

Ministri Krasniqi ka pasur takime me homologë të tij si me atë të Sllovenisë, Uros Grilc, Kroacisë, Andrea Zlatar Violic, Mali të Zi, Branislav Micunovic, si dhe zv/ministren e MTKRS-së së Shqipërisë, Suzana Turku, me të cilët ka biseduar për mundesitë e bashkëpunimit dhe iniciativa konkrete që shkojnë të mirë të zhvillimit të kulturës, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›