Shtëpia e oficerëve, banorët sherr me policinë
KUKES - Dhjetëra forca të Policisë Bashkiake dhe asaj të Rendit në Kukës kanë kërkuar zbrazjen e ish-shtëpisë së oficerëve nga 5 familje që nuk i janë bindur urdhrit të bashkisë që nga prilli i këtij viti. Ata duhet të linin të lira ambientet ku ndodhen prej 10 vitesh, të zëna që prej kohës kur kryefamiljarët e tyre ishin ushtarakë. Urdhri ishte i formës së prerë, që edhe forcërisht godina 3-katëshe të zbrazet dhe t'i hapet udha një investimi shumë më të madh dhe që, sipas bashkisë, do të kthehet në qendër sociale për t'i shërbyer një komuniteti në nevojë, siç janë pleqtë e vetmuar, jetimët, të verbrit apo kategori të tjera. Forcat e policisë kanë hasur në një rezistencë të fortë nga familjarët, kryesisht gra e fëmijë që ishin gjatë ditës nëpër shtëpitë e tyre dhe nxjerrja forcërisht pas dështimit të negociatave është shtyrë. Policia është tërhequr, por ka bërë të qartë se tashmë dhomat e zëna do të boshatisen. Një nga banoret e kësaj godine, H. Hila, tha se nuk ka asnjë mundësi të zgjidhë strehimin e saj dhe të katër fëmijëve tani që i shoqi është në reformë dhe familja nuk merr më shumë se 20 mijë lekë të ardhura në muaj. Kjo godinë është lëshuar nga pjesa më e madhe e familjarëve, të cilët në fakt përveç hallit ekonomik dhe pamundësisë për t'u strehuar, nuk kanë ndonjë mbështetje ligjore për të qenë banorë të godinës, e cila tashmë është e shkatërruar plotësisht dhe nga adoptimet. Në lidhje me këtë situatë, kryebashkiaku i Kukësit, Hasan Halili, u shpreh se lëshimi i godinës nuk është çështje dëshire. Ai sqaron se bashkia u ka siguruar banesa ku për 6 muaj do të strehohen pa asnjë pagesë, ndërsa do t'u rimbursohen dhe ato shpenzime që kanë bërë për riparime në ish-shtëpinë e oficerëve. j.h