E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova kërkon nga GJND të njëjtin status si Serbia

Pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi ka kërkuar sot nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që Kosova të ketë të njëjtin status si Serbia. Një kërkesë e tillë ka ardhur përpara se gjykata të japë mendimin e saj mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, gjë e kërkuar nga shteti serb. "Ne do të reagojmë pavarësisht nga vendimi i Gjykatës, por mendoj se duhet të ketë një përfaqësim korrekt dhe adekuat", tha zevendeskryeministri kosovar. 

PRISHTINË – Shteti më i ri në botë, Republika e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë status të barabartë me Serbinë. Një kërkesë e tillë është bërë përpara se gjykata të japë mendimin e saj mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës të shpallur në 17 shkurt të këtij viti. Deklarata e sotme është dhënë nga zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi. “Kërkesa e bërë nga ministri i Jashtëm, është që Kosova të pranohet si palë e barabartë në qasjen ndaj gjykatës. Ne do të reagojmë pavarësisht nga vendimi i Gjykatës, por mendoj se duhet të ketë një përfaqësim korrekt dhe adekuat”, ka thënë Kuçi pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës.

Nisma serbe kundër pavarësisë së Kosovës u miratua pak ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Projektrezoluta serbe kaloi me 77 vota pro, 6 vota kundër dhe 74 vota abstenime. Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve kosovarë për të kundërshtuar këtë nismë të Serbisë kundër shtetit të Kosovës, shumica e vendeve në OKB kanë dhënë miratimin e tyre për të kaluar këtë projektrezolutë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kjo rezolutë ka të bëjë me kërkimin nga ana e Serbisë së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç e ka konsideruar këtë një fitore të Serbisë, ndërsa i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Prishtinës Zyrtare e cila ka deklaruar se do të vazhdojë në punën e pas për njohjen e Kosovës edhe nga shumë shtete të tjera. Ndërkohë vetëm dy ditë pas miratimit të projektrezolutës serbe në OKB, Mali i Zi dhe Maqedonia njohën pavarësinë e Kosovës duke forcuar marrëdhëniet mes këtyre shteteve.
(a.s/Balkanweb/REL)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›