Sot bisedimet në Shkup për çështjen e emrit te Maqedonise
SHKUP-Shkupi zyrtar do të diskutojë sot rreth propozimeve të ndërmjetësuesit ndërkombëtar për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë, Metju Nimic. Takimi do të zvhillohet midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe presidentit, Branko Cërvenkovski. Bisedimet vijnë pas shprehjesh të pakënaqësive nga liderët politik lidhur me propozimin e Nimic, për emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Ndërkohë, mosmarrëveshjet midis Shkupit dhe Athinës gjatë ditëve të fundit janë rritur vazhdimisht. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Athinës zyrtare pas deklaratave të kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski se në Greqi shkelen të drejtat themelore të njeriut. Ministria e Jashtme e Greqisë e ka cilësuar deklaratën e shefit të ekzekutivit maqedonas si një ndërhyrje në punët e saj të brendshme. Përmes një deklarate për shtyp, MPJ greke, vetëm dy ditë më parë theksoi se "Komunikata e re e qeverisë Gruevski përbën një tentativë brutale të shtrembërimit të realitetit. Kjo politikë e ndërgjegjshme e kultivimit të nacionalizmit dhe urrejtes etnike, është më së paku e papërgjegjshme. Le ta mbledhë mendjen zoti Gruevski, qytetarët grekë nuk kanë nevojë nga avokatë të vetëshpallur".
Qeveria maqedonase kishte reaguar ndaj një incidenti të ndodhur në zonën Meliti të Follorinës, në Greqinë veriore, ku sipas Shkupit jeton një minoritet maqedonas.
(d.b/BalkanWeb)