Shembja e pallatit, banorët para grevës
GJIROKASTER – Banorët e pallatit të shembur në Gjirokastrës mesditën e 9 nëntorit do të vendosin sot, nëse do të hyjnë apo jo në grevën e paralajmëruar të urisë. Të zhgënjyer prej ndihmës së premtuar nga pushteti vendor dhe qeveria për zgjidhjen e çështjes së strehimit të tyre, pak ditë më parë, të 14 familjet kërcënuan me grevë. Të pyetur nëse do të arrijnë këtë veprim ekstrem nga ana e tyre, ata u përgjigjën se gjithçka do të varet nga takimet, që pritet të zhvillojnë sot në prefekturë dhe bashki. Mësohet se prefekti Spiro Ksera u ka premtuar një takim sot, për vendimet e fundit të marra nga ky institucion, ndërsa kryebashkiaku Flamur Bime u ka siguruar mbështetje në zgjidhjen e problemeve të tyre. Pallati në lagjen “11 Janari” u shemb papritur, pas lëkundjeve që pësoi prej hapjes së themeleve të një godine shumëkatëshe pranë tij.