Tadiç: Pas Hagës, rinisim bisedimet me Kosovën
Presidenti serb, Boris Tadiç ka shprehur bindjen se shumë shpejt Beogradi do të rinisë negociatat për të gjetur “zgjidhjen” e statusit të Kosovës bashkë me liderët e Prishtinës. Duke folur për mediat serbe për politikën integruese në Bashkimin Evropian, Tadiç tha se “kjo rrit shanset që pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për të cilin ne kemi bindjen se do të jetë në avantazhin tonë, ne do t’i rikthehemi tryezës së negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës, me mirëbesim dhe pa rrezikuar askënd”, tha Tadiç për të përditshmen e Beogradit, “Politika”. Presidenti serb ka theksuar se herët a vonë ky proces do të ndodhë, sepse nuk ka asnjë zgjidhje tjetër dhe ka kritikuar politikën e vendeve, që e kanë mbështetur statusin e Kosovës, duke e komentuar atë si një politikë pa baza. “Ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë me përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Kosovës. Ata faktorë ndërkombëtarë që po përsërisin vazhdimisht se çështja e pavarësisë së Kosovës tashmë është një marrëveshje e mbyllur, e dinë në fakt shumë mirë se shqiptarët e Kosovës herët a vonë do të ulen të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme me ne, e cila do të ketë në bazë kompromisin”, tha Tadiç. Lideri serb është përpjekur të përjashtojë të gjitha forcat ndërkombëtare të përfshira në këtë proces, për të përfituar disi nga politika ende e pastabilizuar mirë e Kosovës. “Ne dëshirojmë të gjejmë një zgjidhje me shqiptarët, sepse askush tjetër nuk mund ta gjejë atë. Dhe për këtë arsye, të gjithë ata që janë kundër këtyre bisedimeve duhet të na japin një përgjigje logjike mbi pyetjen: kush do ta zgjidhë këtë problem nëse nuk e zgjidhin serbët dhe shqiptarët që jetojnë në Kosovë?”. Presidenti serb u shpreh mjaft optimist mbi çështjen e statusit të Kosovës, e cila sipas tij është ende e papërfunduar, duke kritikuar ashpër të gjithë nacionalistët në serbi, që e kishin akuzuar atë se e kishte njohur pavarësinë e Kosovës. “Nëse ne do ta kishim njohur pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë, pse bota negocioi me ne për gjashtë pikat e planit të Ban Ki Mun, të cilat kërkonin kundërshtimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës?”, tha Tadiç, duke theksuar se politika e Serbisë nuk ka ndryshuar qëndrim nga ai i viteve të mëparshme lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të vendit. Për këtë arsye, ai tha se askush nuk mund ta akuzojë Serbinë, se po pengon procesin ndërkombëtar në lidhje me Kosovën. “Askush nuk mund të akuzojë Serbinë se po bëhet pengesë për stabilitetin në rajon dhe askush në Serbi apo jashtë saj nuk mund të thotë, se vendi ka hequr dorë nga integriteti me Kosovën dhe Metohijen. Deklarata presidenciale e Këshillit të Sigurimit dhe Ban Ki Mun nuk e thotë këtë dhe kjo nuk thuhet as në mesazhin, që më është dërguar mua”, vlerësoi Tadiç. Tadiç tha se ndarja e Kosovës nuk është opsioni i Serbisë dhe se të gjithë ata që mendojnë kështu, duhet të kujtojnë se serbët nuk jetojnë vetëm në veri të Kosovës, por edhe në jug dhe në qendër të saj. Në fund, Presidenti serb e komentoi si mjaft të suksesshme politikën serbe të muajve të fundit.