Njohjet e Kosovës, Gaboni, Nigeria, Bregu i Fildishtë pa notë verbale
E shtunë, 24 shtator 2011, NOA Tre vendet më të fundit që kanë njohur Kosovën e pavarur duke e çuar në 84 numrin e njohjeve nuk e kanë dëshmuar këtë fakt me një notë verbale.
Gaboni, Nigeria dhe Bregu i Fildishtë ende nuk kanë dorëzuar pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës një notë verbale për njohjen e Kosovës, që do të përcaktonte ligjërisht veprimin e tyre.
Në faqen zyrtare të MPJK-së deri më tani janë regjistruar 81 shtete që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ku Santa Luçia figuron si vendi i fundit që ka njohur Kosovën, më 19 gusht, 2011.
Këto tre njohje të reja janë shpallur nga zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli, i cili thotë se nuk i interesojnë letrat, shkruan gazeta Express.
Në këtë suazë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli thotë se Ministria e Jashtme është duke gabuar që nuk po e ndryshon numrin e njohjeve në faqen zyrtare.
Eh valla, Ministria e Jashtme ka bërë gabim shumë se nuk i ka shënuar këto njohje të reja. Shumë gabim ka bërë, tha Pacolli për gazetën Express.
Ndërkohë ish-kryediplomati i Kosovës, Skënder Hyseni e cilëson këtë si tregti me njohje.
NOA