E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhani Ciko: “Talentet e Operes kosovare, te panjohura per ne”



Petrika GROSI
Talentet e Kosovës dhe ajo që po ndodh me artin aty, sidomos me muzikën klasike dhe artistët e rinj të saj, është një gjë thuajse e panjohur në Shqipëri. Dhe kur diçka e tillë është e mjegullt edhe për njërin nga zbuluesit e talenteve dhe përkrahësit më të zellshëm të tyre, siç e njohim të gjithë maestro Zhani Cikon, kjo tregon që me të vërtetë mbetet shumë për t’u bërë në këtë drejtim. Në një intervistë ekskluzive të dhënë dje për gazetën “Albania”, maestro Ciko rrëfen pikërisht mbi këtë eksplorim që duhet bërë në terrenin e artit kosovar dhe mbështetjen që duhet t’u japim bashkëkombasve tanë duke i ndihmuar në krijimin e institucioneve të tyre artistike, por edhe duke i integruar sa më mirë në jetën skenike të Shqipërisë. Por biseda jonë trajton edhe më tepër se kaq; “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sfida e re ndaj një vepre që është realizuar në kohën e monizmit, por që tashmë vjen e zhveshur nga ideologjia nën koreografinë e Agron Aliajt dhe kompozimin e të madhit Nikolla Zoraqi. Ciko rrëfen arsyen se pse baleti i bazuar mbi kryeveprën e Kadaresë duhej parë në një plan më global më tepër sesa kombëtar... larg folklorit dhe kostumeve tona popullore.

Sot (dje) “Zëri kosovar” vjen në Teatrin e Operës dhe Baletit. Çfarë do të thoshte maestro Ciko lidhur me këtë koncert?

Është një koncert që ka si qëllim prezantimin e talenteve të kantos dhe të ndonjë instrumentisti që përgatit Akademia e Arteve në Prishtinë. Është një dëshirë e jona që muaji i Kosovës të mos mbetet thjesht muaj protokolli ku dikush shkon dhe dikush vjen, por të shërbejë për një njohje më të thellë të resurseve. Kosova ka nevojë për përgatitjen e kuadrit artistik. Ndërsa aty po krijohen pak nga pak institucionet, Teatri i Operës është i vetmi institucion shqiptar në mbarë botën për muzikën lirike. Ajo që ka rëndësi sa i takon talenteve kosovare është se ne duhet të dimë çfarë po përgatitet në Kosovë dhe si mund t’i ndihmojmë ata.

Pra, Kosova është një terren i panjohur në këtë drejtim?

Terren i panjohur siç është gjithmonë terreni i përgatitjes së të rinjve, të cilët vetëm shkolla i di dhe i njeh. Duke u nisur nga kjo, do të bëjmë dhe një audicion me artistët e rinj të Kosovës, të cilët mund të jenë këngëtarë, solistë, koristë apo instrumentistë të talentuar, që mund të merren edhe në produksionet tona artistike.

Thamë se ka vetëm një opera shqiptare në botë. A nuk është pak për një komb që mendohet të kalojë 6 milionë njerëz?

Në perspektivë mbetet si domosdoshmëri krijimi i alternativave të qendrave kulturore, të cilat përballojnë këtë gjini të artit, qoftë operetës, muzikalit, muzikës korale, etj.

Keni piketuar deri tani ndonjë artist kosovar për ta afruar në TKOB?

Mendoj se diçka kemi bërë. Gjatë vitit të kaluar, një vajzë që mbaroi Akademinë tek ne bëri një rol të tërë te “Berberi i Seviljes”. Tani ajo është për studime në Izrael. Kemi edhe një tenor të talentuar kosovar, por ne duam të dimë më shumë se çfarë përgatitet në Kosovë. Pikërisht koncerti i sotëm do të zbulojë zërat, karakterin e tyre, rrugën që po ndiqet me ta. Kemi kënaqësinë që kanë ardhur edhe pedagogët e tyre dhe do të diskutojmë me ta. Grupi nga Kosova ka qenë këto ditë në mjediset e TOB-it dhe kanë njohur artistët tanë. Këto janë programe afatshkurtra, por që shërbejnë shumë në krijimin e marrëdhënieve dhe të njohjeve të këtij lloji.

Shqiptarët e Kosovës gjithmonë ndiejnë vështirësi për t’u integruar në tregun e Shqipërisë për shkak të së folmes së tyre të rëndë e dialektore. Kjo sidomos vihet re në letërsi. Po në muzikën lirike a ekziston ky problem?

Kosova ka një traditë mjaft të zhvilluar të letërsisë, ndërsa në fushën e muzikës së kultivuar ata kanë pasur dhe kanë kompozitorë të mirë e të përgatitur, por mungesa e komunitetit dhe e kushteve për të interpretuar veprat e tyre ka bërë që ne ta njohim pak krijimtarinë kosovare. Bashkëpunimet kulturore duhet të krijohen mbi një bazë të studiuar mirë dhe jo spontane apo të varura nga dëshirat dhe pikëpamjet e drejtuesve. E gjitha kjo do të nxisë për mbarë zhvillimin e artit shqiptar këtej dhe andej kufirit, suportin më efikas të Shqipërisë ndaj Kosovës etj. Në fushën e muzikës lirike kemi shumë se çfarë t’i japim Kosovës; një sforco do të bëhet nga ana jonë, por sforco duhet të bëhet edhe prej tyre. Për një qëllim të përbashkët të gjithë duhet të bashkërendohemi dhe të japim produktivitet.

Pa u shkëputur nga aktualiteti, si e pritët skandalin me ish-ministrin e Kulturës, z.Pango?
Nuk është në moralin tim që të prononcohem mbi ish-eprorët e mi. Çfarë kam pasur e kam thënë me kohë.

Nesër do të shfaqet premiera e baletit “Gjenerali...”?

Është një shfaqje e motivuar në mënyrë të disaanshme. Së pari, është detyrë e institucioneve që të krijojmë antologjinë e plotë të artit skenik shqiptar dhe këtë detyrë më shumë se Opera nuk e ka askush tjetër. Shpesh ka pasur koncepte herë nënvleftësuese, herë mbivlerësuese dhe herë hymnizuese të asaj që është bërë. Mendoj që ka ardhur koha për të qenë me këmbë në tokë. Le të nisemi nga fakti që Shqipërisë nuk i kanë munguar asnjëherë talentet që e kanë gjetur veten e tyre në çdo kohë. P.sh. Në artin bizantin kemi Onufrin, më tej në muzikën e Mesjetës Jan Kukuzeli deri te muzika e kohëve tona. Apo një temë e padër Martin Gjokës, “Qenkan mbushur malet me dëborë...”, e cila ndikoi në bërjen e një filmi për Skënderbeun apo në një simfoni si ajo që bëri Çesk Zadeja. Po kështu edhe autorët që krijuan në kohën e monizmit shfaqën talentin e tyre; “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte një meteor, një tërmet i madh që shkaktoi diskutime të shumta asokohe, por që në anën tjetër frymëzoi artistët. Edhe kompozitori Nikolla Zoraqi, që shquhej për guximin e madh, në një moment të vështirë pas Pleniumit IV dhe Festivalit XI, ku ai kishte qenë drejtor, u përpoq t’i përqasej një teme si ajo e “Gjeneralit...” ndonëse ishte mjaft i rrezikshëm një hap i tillë.
Bashkë me koreografin Agron Aliaj, ata e nxorrën zjarrin dhe dufin e kësaj vepre, bërthamën e uranit që përmbante romani i Kadaresë dhe e ambalazhuan duke e veshur me një koracë të aspekteve të kohës jo shumë të përafërta me aspektin filozofik të Kadaresë. E kam fjalën për momente të tilla siç ishin përshkrimi i festës së fabrikës, gëzimi i vajzave që kthehen nga zbori, letra e djalit që i ka ardhur thirrje për të shkuar ushtar... Duke e parë veprën mbi këtë dritë, është detyra jonë që ashtu si ajo furça që pastron me shumë kujdes nga pluhuri i kohës qeramikat e zbuluara nga antikiteti, edhe ne ta zhveshim këtë vepër nga ambalazhi duke dhënë thelbin e vërtetë të saj. Kështu bëmë edhe vjet me veprën “Lumi i vdekur”, të cilën e zhveshëm nga ideologjizmat komuniste.

Maestro Ciko, pse zgjodhët skenograf dhe kostumografe franceze?

Për arsye se shfaqja nuk mund të vijë më si një shprehje etnografike e kulturës shqiptare. “Gjenerali” ka ndodhur në Shqipëri në kohën e pasluftës, por gjeneralë që kërkojnë eshtrat e ushtarëve të tyre të vdekur janë edhe ata serbët në luftën e Kosovës, apo luftat e ndryshme që zhvillohen në Irak, Afganistan etj. Pra, të merresh me dantellën e kostumit tonë popullor është të humbasësh, ta ngushtosh shumë konceptin dhe komunikimin e kësaj vepre globale. Koncepti modern tjetër është ai që lidhet me rolin e koreografisë. Në shek. XIX, koreografia quhej si një akt që buronte nga muzika, por me rrymat e mëvonshme koreografia brenda marrëdhënieve me muzikën ka indipendencën e saj. Pra, nuk është e thënë që nëse dëgjojmë një muzikë luftarake, të shikojmë edhe luftën në skenë. Në skenë mund të shihen reagimi i personazheve të baletit ndaj kësaj lufte. Është një marrëdhënie shumë e komplikuar që ka dashur një gjetje dhe një zhvendosje të koncepteve tona lidhur me marrëdhëniet krijim Kadareian, muzika e Zoraqit, koreografia e Aliajt dhe puna e grupit tjetër që ka ndihmuar për realizimin e veprës në skenë.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›