E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano letër Rexhinës: Jam bërë diktator ndaj Berishës

• Eshtë një libër historik. Eshtë një libër dashurie...Lorenc Vangjeli...Rexhina Nano mbështet mje-krën në duart e saj të kryqëzuara dhe sheh përtej syzeve me skelet të hollë metalik. Guri i madh i zi i unazës e bën të duket dhe më e bardhë lëkura e saj; qesh kur thotë se ndjehet si një grua që sapo ka lindur dhe më në fund bindet. Pranon që të thyejë heshtjen e saj dhe duke u mbërthyer sërish në heshtje, vendos të lejojë të flasë në vend të saj qindra faqet e librit që do të dalë në botim. Rexhina Nano e konsideron atë si një krijesë që shumë shpejt do të nisë një “jetë” të pavarur, larg dhe afër dhembjes e forcës së saj që e nxorri mbas shumë vitesh në dritë. Dhe libri është edhe dhembje, edhe forcë. Në çastin e bisedës Libri i saj “Të jetosh kohën” është në fakt një tog i madh fletësh format, shumëkund i korrigjuar me shkrimin e saj dhe këtë javë del nga botimi, por është dhe një libër që nuk mund të lexohet kurrsesi shpejt, është një libër që më shumë se për jetën e saj të trazuar flet për trazimet e thella të gjithë shoqërisë shqiptare, për ankthet, vuajtjet, padrejtësitë, shpresat e thyera, buzëqeshjet dhe vajin e qeshjeve të vrara në buzët e të gjitha familjeve shqiptare. Libri është një perde e ngritur për publikun aty ku jo vetëm kureshtja e tij, por dhe e drejta për të mësuar e ditur më shumë zakonisht ndalet në një mur të padepërtueshëm. Rexhina bën një ftesë për një rrugëtim të gjatë dhjetëra vjeçar në jetën e saj, që depërton deri poshtë shtresave të gjumit të njerëzve që kanë qenë përcaktues në jetën e këtij vendi, në errësirën e qelive, në dritën e pritjeve diplomatike, deri dhe nën rrëkenë e nxehtë të dushit vetjak dhe mbi të gjitha, në përthyerjet plot dritë-hije të shpirtit të saj. Duke qenë një nga të gjithë qytetarët shqiptarë, Rexhina është aristokratja e shpirtit, njëlloj Beatriçeje që e shndërron lexuesin në poetin e dënuar në ferr, që provon dhembje ferri teksa ndjen se fati e mban larg e më larg parajsës së premtuar. Dëshmia e saj i ka të gjitha shanset të jetë dëshmia e kohës ku jetojmë, dhe madje më tej, një manual për të mësuar se pse në Shqipërinë ballkanike, ka aq shumë Ballkan. Njohëse e shkëlqyer e Partisë Socialiste, edhe si spektatore, edhe si protagoniste, ajo vizaton një pamje krejt tjetër të atij organizmi që u ndërtua me dhe mbi gurët e gërmadhës ish-komuniste dhe që ka qenë padyshim, një nga dy krijesat politike më të rëndësishme të këtyre dy dekadave të fundit. Në jetën e Rexhina Nanos është projektuar e shkuara e shoqërisë dhe afron një mundësi të rrallë e të vyer, që kushdo të projektojë mbi të, edhe të nesërmen e vetë shoqërisë. “Libri im, “Të jetosh kohën”, besoj se është më shumë se thjesht një biografi e jetës sime. Duke qenë jetë e një individi, besova se duke treguar për veten, në një mënyrë apo një tjetër do të rrëfeja edhe një pjesë të atij mozaiku të pafund të jetës së gjithësecilit prej nesh, pikat e shumta të takimit që ndoshta janë një mundësi modeste për të njohur më mirë unë vetveten dhe për të afruar gjithashtu një çelës modest, që lexuesi të reflektojë për jetën e tij. E them këtë sidomos për brezin tim, i cili duke jetuar në dy anët e kundërta të dy sistemeve të ndryshme, u ndikua nga e shkuara dhe, me të mirat e dobësitë e tij, u bë kushtëzues për të sotmen dhe ndoshta edhe për të nesërmen tonë të përbashkët”, thotë vetë Rexhina. Këtë libër të palexuar kurrë më parë nga askush në publik apo nga miqtë e saj fare të afërt, ajo e vë në dispozicion të MAPO-s përpara se të dalë në botim, me thjeshtësinë e gruas që gjithmonë është mësuar të verë ushqimin në tryezën e familjes së saj, në të njëjtën mënyrë që fati e kishte detyruar të shtronte me shpresë dhe dhjetëra-mijëra tryeza të tjera të familjeve shqiptare të cilat besuan tek ajo vetë. Eshtë e veshur tërësisht me të zeza, ndërsa në krah ka hedhur një shall të bardhë dhe është ende një grua elegante. Shumë elegante! Tregon se ka të paktën dhjetë vjet që e ka menduar botimin e këtij libri dhe këtë fundjavë ai del në dritë. Mbas pesë vjetësh të tjerë, kur bashkëjetesa e tyre e nisur që në adoleshencë mori fund, Rexhina ka një forcë të pabesueshme të flasë ende për dashurinë dhe të mos afrojë askund asnjë nuancë të urrejtjes, edhe pse gjithë jeta e saj e shtrirë mes këtyre dy skajeve, dashuri-urrejtje, do t´i jepte të gjithë të drejtën e Zotit për të gjykuar dhe ndëshkuar. Por ajo nuk e bën një gjë të tillë sepse edhe njëherë, me të drejtën hyjnore të gruas-grua, beson se jo vetëm familjes së saj, jo vetëm njerëzve të saj të afërt, por të gjithë këtij vendi të lodhur nga urrejtja, i nevojitet më shumë dashuri, më shumë falje, më shumë shpresë e shpirt. Në qoftë se dhe ky do të ishte mesazhi i vetëm i këtij libri, atëherë dhembjet e lindjes së tij deri dhe me kapërcim të vetvetes, do të ishin ndoshta të justifikuara. Në ambientin tradicional mashkullor të shqiptarëve, Rexhina dëshmon në mënyrë tronditëse se pjesa më e mirë e tij janë gratë e burrave. Ish-mbretëresha e socialistëve megjithatë nuk ndalet edhe këtu: “Shpresoj shumë se ky model dhe përvojë individuale jete mund të jetë i dobishëm dhe për atë brez të rinjsh e të rejash të cilët nuk kanë njohur të shkuarën dhe megjithatë, janë bërë pjesë e mitizimit të saj”, thotë ajo. Grua dhe nënë ajo nuk kursen të rrëfejë deri dhe jetën private të fëmijëve të saj, të cilët fati kryeneç i detyroi të rriten më shpejt, të provojnë që në adoleshencë të herët ngërçin e rritjes me detyrim apo të provojnë që në fëmijëri, plagët e një shoqërie të trullosur nga e reja dhe nevojën për arrati prej saj. Tregon për beteja që vetëm një shpirt i madh mund t´u japë mundësinë për të hyrë në to dhe për të dalë nga to edhe atëherë kur edhe vetë fati dukej se diktonte ndryshe. Nuk heziton të flasë dhe për drogën që mori një periudhë e bija, për luftën e tyre të fortë ndaj këtij mallkimi, fajëson veten dhe sërish ka krenarinë e luftëtares që fiton betejën me të pamundurën. Rexhina Nano flet gjatë. Por më gjatë se ajo flet libri i saj, krejtësisht i aftë të afrojë një tronditje me të vërtetat e tij përtej hipokrizisë së zakontë të ekraneve pa shpirt të televizioneve dhe përtej të rremes që shitet për shkëlqim diamanti. Fëmijëria“...kisha arritur të kristalizoja ngjashmërinë e madhe mes gjyshes dhe nënës sime... ato ngjanin aq shumë në mënyrën sesi e jepnin dashurinë dhe sesi e përdornin atë: Kur mësonin si duhej dashuruar gjithësia e njerëzia, si duhej adhuruar ajo në çdo çast të jetës, sesi duhej të falje kur dikush të lëndonte”. Ky ishte ambienti ku lindi dhe jetoi fëmijërinë e saj Rexhina Nano, një ambient i zakontë shqiptar me të gjitha hallet e mbijetesës së kohës, kur megjithatë, edhe përtej bukës apo fustaneve që shpesh nuk ishte e mjaftueshme, që shpesh ishin rimodelim i fustaneve të motrës së saj, ishte një ambient që e mësoi se jeta e shpirtit ishte e përkohshme, kur ai ngurosej vetëm në jetën e trupit dhe barkut. Tregon për ëndërrimet e saj, për lidhjen e veçantë me letërsinë pa ditur se një ditë, përfundimisht, edhe ajo vetë do të ishte personazhi kryesor i një romani jete tejet të trazuar deri në pikën ku fantazia do të ishte e pamundur të fantazonte më tej. Duke afruar një homazh për njerëzit e saj më të afërt, Rexhina në të vërtetë ka treguar sërish për veten, qoftë kur flet për gërshetin e saj të gjatë që ja krihte gjyshja e saj, e deri kur ajo vetë krihte flokët e gjyshes së saj duke qenë për të edhe mbesa e preferuar, edhe infermierja, edhe nëna e saj. Pothuaj në fëmijërinë e saj, herët në adoleshencë, në vitin e dytë të gjimnazit ajo do të njihte burrin që do të shenjonte gjithë jetën e saj, Fatos Nanon. “Dashuria jonë nuk filloi me kurrfarë deklarate të zjarrtë, ndihej vetëm nga dy qeniet tona dhe jetoi ashtu për shumë kohë derisa arriti dhe shpërtheu me gjithë forcën e dy shpirtrave që tërhiqeshin e largoheshin njëkohësisht dhe u bë e papërmbajtshme. Ajo nuk mund të ishte diskrete, çdo nerv e qelizë e trupit vuante çdo çast ngacmimet e rrahjes së zemrës që punonte e çoroditur nën efektet e një zjarri të brendshëm. Sytë kërkonin njëri-tjetrin e kur e gjenin, bënin të na humbiste dëgjimi, kur ndodheshim jashtë vijës së tyre të shikimit humbiste dëshira e mjedisit të hapur, kërkoja errësirën-ekran i përkryer imagjinar, ku mund të krijosh e të ndiesh me sy të mbyllur një jetë të tërë që ti e pret...”, shkruan Rexhina, peng dhe pengmarrëse e njeriut që sipas saj, dallohej qartë në ambientin e gjimnazit ku mësonin së bashku. Pa u ndalur deri në frazën e fortë se si “kishin prishur virgjërinë e njëri-tjetrit”. “Prirja ime mbetet dhe sot të kuptuarit, të ndjerit e të përjetuarit e të gjitha çasteve që përbëjnë ngjarjet thelbësore të jetës sime, të fëmijëve të mi. Jetoj njëherësh dhe jetën e njeriut të jetës sime duke ndjekur çdo ngritje-ulje, duke e bërë kështu jetën time jo pak të vështirë, por ndoshta kjo është një mënyrë për të mos e lënë qenien time të mos kaplohet nga ndjenja të liga që të egërsojnë shpirtin e të humbin gjykimin”, reflekton sërish më pas Rexhina në një kapërcim brenda të cilit ndodhet dhe divorci i bujshëm që e largoi atë nga Fatos Nano dhe e sotmja e saj, kur ajo është sërish vetë sakrifica e një jete të shkuar mes sakrificash, kur ajo është ende një dashuri e madhe që projektohet mbi fëmijët e saj dhe njerëzit që do dhe e duan. Deri në vitet 90´ jeta e saj ishte jeta e secilës familjeje shqiptare, që gëzohej për një copë mish më shumë në tryezë, për pak kokrra vezë më shumë, por që rrethohej nga shumë shpirt. Dhe kështu vazhdoi deri në momentin, kur bashkëshorti i saj i përfshirë fillimisht në qeverinë e Adil Çarçanit e më pas, u zgjodh dhe kryetari i parë i Partisë Socialiste. Atëherë filloi dhe drama e saj vetjake, gjithmonë një nga aktet e dramës mbarë shqiptare në një shoqëri tashmë të çoroditur dhe të traumatizuar nga dehja që i jepte liria e pjesshme, një liri dhe anarki bashkë, ku urrejtja mund të konsiderohej pjesë e jetës. Për Rexhinën nevojiten fare pak fraza për të dëshmuar edhe njëherë atë kohë që tashmë ngjan e largët: “Efekti rrënues i gjuhës së rrugës më ndiqte kudo, në punë, në shtëpi, mes muresh të shkruara me gërma të mëdha gjeje vetëm fjalë shkatërruese. Thirrjet “Poshtë komunizmi”, pasoheshin me “Nano kriminel, enverist”. Politika e rrugës ishte në kulm të saj. Vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës, thotë Bibla për një gjymtyrë sa të vogël të qenies njerëzore, por aq të fuqishme në efektin vdekjeprurës dhe jetëdhënës gjithashtu. Më dukej se po provoja atë efekt vdekjeprurës”, shkruan ajo për fillimvitet 90´. Por më e keqja nuk kishte mbërritur. Nga oficerët e gardës që ruanin shtëpinë e tyre private për shkak të Nanos kryeministër dhe jetës që kufizohej nga ky status, shumë shpejt erdhi momenti që ata do të zëvendësoheshin me gardianët që do ta mbyllnin atë, por dhe vetë Rexhinën mbas mureve të qelisë së burgut politik. Dhe mes këtyre dy skajeve, brenda në familje ndjehej një e tashme plot traumë: “Ajo periudhë po shkaktonte tronditje të padukshme tek secili nga ne. Brenda nesh zuri vend monologu me veten që e zëvendësoi ngadalë dialogun mes nesh. Të moshuarve të shtëpisë iu rrëgjohej trupi nga pesha e ankthit të përditshëm, ndërsa neve, prindërve të rinj na u ngushtua hapësira e të ndjerit se fëmijëve tanë ju duhej më shumë dashuria e kujdesi ynë për t´i mbrojtur nga deformimet e goditjeve të kohës”, shkruan Rexhina. Burgu i familjes Nano,“...mos rri vetëm! Ti je Fatosi tani në shtëpi! Të hënën do të marrësh sendet e mia. Zbardhi shënimet që kam mbajtur në hetuesi dhe shiko me Gramozin çfarë mund të botohet! Kërko veprim të shpejtë! Ju puth të gjithëve, mirupafshim shpejt!”. Kjo do të ishte letra e parë e Nanos nga qelia e Burgut 313 kur sapo kishte nisur hetuesia ndaj tij, vetëm një ditë mbas arrestit, dhe mban datën 31 korrik 1993. Por nuk do të kishte një “mirupafshim shpejt”. Ajo do të vononte pothuaj katër vjet, gjatë të cilave vetë Fatosi do të numëronte orët e izolimit me një përpikmëri ngjethëse që mund ta kenë vetëm të izoluarit, ndërsa Rexhina do të bëhej edhe burri i shtëpisë, edhe gruaja që luftonte për lirinë e bashkëshortit, edhe socialistja që do të ishte figura që risillte liderin e burgosur në selinë e partisë. Në të gjitha mënyrat. Me të gjitha sakrificat. Me vuajtjen që do të kishte absolutisht vetëm emrin e saj e të bashkëshortit, e burgosur dhe ajo vetë në lirinë e saj të kufizuar. Do të nisë një letërkëmbim tronditës mes dy bashkëshortëve, i denjë për çdo katalogim epistolarësh dashurie. “Kjo ngjarje e rëndë ka hapur një kapitull krejt të ri për jetën tonë dhe për mua. Nuk mund ta lidh vetëm me ngarkesën psikologjike e sociale që ka “burgu, i burgosuri, gruaja e të burgosurit, fëmijët e të burgosurit e të tjerë”. As edhe vetëm me streset që e shoqërojnë këtë. Tani kam hak për të marrë, për të gjitha poshtërsitë që më janë bërë mua dhe familjes, por jo vetëm kaq! Do të hakmerrem për këtë shpërblim të ndyrë me të cilën po na e paguajnë ndershmërinë dhe sakrificat tona. Tashmë u kam dalë borxhit të gjithëve, prandaj që në çastin kur me paturpësi dhe me zë të dridhur hetuesi më komunikoi arrestimin, u bëra dru, magazinova ndjenjat dhe me logjikë fare të ftohtë vendosa të mos bëj kurrë më asnjë lëshim ndaj të poshtërve, njerëzve me vese e pa karakter, plehrave që po na zëne frymën. Papritmas zbulova sesa i thellë jam në ndjenjë, aq i rreptë qenkam në rivendosjen e dinjitetit tim dhe tonë (tëndin dhe të fëmijëve sepse vetëm për ju mund ta jap jetën i qetë. Pra, tani jam bërë diktator i pamëshirshëm kundër të gjithë atyre që më kanë borxh, me Berishë dhe përtej tij”, i shkruan në 5 gusht familjes së tij Fatos Nano. Një politikan, një drejtues i opozitës, një bashkëshort, baba dhe bir i izoluar e sheh veten papritur si Edmond Dantesi, kur brenda në ferr, ëndërronte rikthimin në diell duke u mbështetur kryesisht tek gruaja e tij. Madje edhe atëherë kur trazimin dhe mbylljen e tij në qeli, selia e PS do ta përtypte me luftë apo dhe me përgjumje e lodhje. “E diel, 06.03. 1994, dita e 219, 5257 orë. Second day in court. Happy birthday to my queen!”. Ndërkohë mbretëresha e kryetarit të socialistëve i shkruan njeriut që e konsideronte shkaktarin kryesor të dramës së saj vetjake dhe të gjithë vendit: “I kam ndjekur veprimet tuaja, zoti Berisha! Ndonëse ia arritët qëllimit tuaj, ta eliminoni kundërshtarin e vetëm politik në Shqipëri, unë ju siguroj se fitorja nuk është në anën tuaj! Sot dënuat vetveten! Fatos Nano nuk është i burgosur! I burgosuri sot jeni ju! Fatos Nano është i pastër ndaj është i qetë. Ndërsa ju nuk keni për të qenë kurrë i qetë! Do të shkonte mirë në atë vendim që të shkruhej “Në emër të Sali Berishës”. Në fakt, në mendje e bëra vetë këtë zëvendësim fjalësh. Të mëshiroj ty dhe të gjithë ata që u bënë veglat e tua në shkatërrimin e njeriut, të dinjitetit të tij, në shkatërrimin e plotë të të gjithë shqiptarëve”. Një letër që nuk mori kurrë një përgjigje, por që do të pasonte dhjetra e dhjetra letra të tilla që do të dërgoheshin me firmën e Rexhina Nanos në kancelaritë ndërkombëtare, tek bashkëshortet e grave të pushtetshëm në perëndim dhe që do të trondisnin bindjen e qetësisë së rreme në Shqipëri me provën se “një regjim, edhe më policor dhe autoritar se i pari, po riisntalohej në vend”. Qelia mbas mesnateEshtë ndoshta në kufijtë e të pabesueshmes. Rexhina Nano dhe miqtë e politikës dhe dashamirësit e bashkëshortit të saj i kishin krijuar mundësinë që të hynte ilegalisht në qelinë e tij në mesnatë. Me skena të jashtëzakonshme, njëlloj si të sendërtuara nga fantazia, Rexhina tregon një nga këto raste. E vetme në qeli priste ardhjen e Fatosit. Shihte “orenditë” e mjera të saj, kovën dhe legenin, shtratin që mbështetej në dy anë në mur dhe brenda një sipërfaqeje prej 8 metrash katror përpiqej të jetonte lirinë në burg. “Akoma pa mbaruar përshëndetjet e ndërsjellta, nga korridori po dëgjoheshin përplasja e njëkohshme e këmbëve ushtarake që i afroheshin qelisë. Dera u hap dhe britma e udhëheqësit të togës kërkoi të dilja jashtë. Pyetjes së Fatosit “Çfarë ka ndodhur”?, një zë i ashpër ju përgjigj: Kontroll i përgjithshëm. Mes dy ushtarëve u shoqërova në dhomën e takimeve. Tek hyja në atë hapësirë ku ftohtësia bëhej më e ndjeshme nga britma e njeriut që kishte dashur të zbatonte rregullin pikërisht atë natë. Zhurma e llozit të derës që mbyllej mbas kurrizit tim më rrënqethi”. Rexhina tregon se pritja e saj vazhdoi gjithë natën. “E tërë nata kaloi në të ftohtin e Bënçës që bashkuar me dhembjet edhe fizike më kishte bërë të mblidhesha grusht në një nga qoshet e asaj dhome, duke përmbajtur me mundim dhembjen që ndjeja ngado në trup, në bark, nëpër zorrë në stomak, në shpinë e shpirt”, shkruan ajo. Gjithçka tjetër mund të merret me mend, por ka vërtet momente kur dhe mendja ndalet përpara së vërtetës më tepër se të trishtuar, të dy njerëzve që kishin përballë gjithë shtetin dhe urrejtjen e gati gjysmës së njerëzve që flisnin shqip. SocialistëtEshtë jashtëzakonisht interesante të shihet sesi gjykonte gruaja e liderit të burgosur Partinë Socialiste në atë periudhë. Rëndësia e posaçme e kësaj partie në jetën politike të vendit, e bën këtë gjykim të një vlere të madhe për të shkuarën e saj dhe ndoshta edhe për projektimin e saj në të ardhmen. Po ata personazhe, po ata individë që provuan pushtetin dhe opozitën dhe presin rikthimin sërish në pushtet. Rexhina ndan deri në katër grupe të dallueshëm brenda PS-së, por nuk heziton edhe të dëshmojë: Në biseda me secilin përballeshe edhe me inate personale, me xhelozitë që shkonin deri në lakmi të posteve të njëri-tjetrit, me euforinë që nxiste mbivlerësimi i vetes; dikush shprehte rezerva për mungesën e veprimit politik të partisë apo dikush tjetër që i quante të pamjaftueshme përpjekjet për çështjen Nano. Kështu shpesh më kapte paniku deri sa vlerësova përfundimisht se mund të mbështetesha në tre shtylla kryesore që mbanin PS-në: Në besnikërinë e sinqeritetin e Sekretarit të Përgjithshëm, (Gramoz Ruçi), në përkushtimin e korrektësinë e kryetarit të grupit parlamentar (Namik Dokle) si dhe maturinë e mendimit të nënkryetarit politik (Servet Pëllumbi). Rrëfimi i Rexhina Nanos përmbledh edhe zgjedhjet e dhunuara dhe shpresat e plasura në 26 maj 1996, mocionin e famshëm të Nanos nga burgu, krizën e piramidave, ankthin e shpërthimit në 1997, lirimin e Nanos, rikthimin në krye të qeverisë të ish-të burgosurit politik e deri në largimin e tij mbas grushtit të shtetit në shtator 1998. Këtu mbyllet libri që pasohet nga një epilog brilant që përmbledh dramën vetjake të kësaj gruaje të mençur. Nuk e përmend kurrë fjalën divorc. “Tek unë ishin shfaqur të gjitha ndjesitë njerëzore, herë inati, herë urrejtja, por shpejt këto instikte u fshinë nga shfaqja e ndërgjegjes. Arsyeja njerëzore ma bëri përsëri të lehtë të parit, të ndjerit, vlerësimin e përgjithshëm”, shkruan ajo, me siguri e bindur se tek çdo njeri fle një shenjt. Rexhina Nano diti të tregojë shenjtërinë e saj vetjake. Duke na dhënë të gjithëve një mundësi që të bëhemi më të mirë, edhe atëherë kur djajtë e politikës marrin fjalën për të nxirë ditët dhe për t´i bërë netët më të zeza. “Vitet 2003-2004 qenë një trazim i fortë i gjithë përmbajtjes sime. Përjetoja një pështjellim të përgjithshëm të ndjenjës, mendimit dhe gjykimit. Kur e kisha ndjerë se sprovën e të keqes e kisha kaluar dhe kisha nisur të pranoj realisht sfidat që jeta më kishte bërë dhuratë, më ishte dukur se pikërisht atëherë vazhdimësisë sime i duhej një pikënisje e re”, shkruan Rexhina, të cilën dikur e quanin “gjysma ime më e mirë”. Njëlloj si një dëshmi e pakundërshtueshme sesa është ndikuar ky vend nga gjysmat e njerëzve të tij të fortë të politikës. Ndaj ajo çka Rexhina u dhuron sot shqiptarëve është një libër historik. Ndaj ai është një histori tronditëse dashurie njerëzore.  Marrë nga revista MAPORexhina e socialistëve tregon jetën e saj, gruaja e adhuruar nga populli i majtë në një libër që vjen me të pathënat e ish-bashkëshortes së liderit shumëvjeçar të socialistëve, nënës së dy fëmijëve, lumturinë dhe brengat e trishtimit të saj. Ana e panjohur e Rexhina Nanos dhe rrëfimi në të njëjtën kohë i shkëlqimit dhe frakturave të të gjithë shoqërisë shqiptare, një rrëfim me qindra faqe që do të bëjnë shumë burra të mendohen, që do të bëjë shumë gra që të përloten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›