Po vjen pavarësia... flamuj, bori dhe folk në Prishtinë
• Turma të entuziazmuara janë grumbulluar në rrugët e Prishtinës që mbrëmjen e së shtunës, duke valëvitur flamurin shqiptar, britanik dhe atë amerikan, duke u rënë fort borive të makinave, ashtu siç ndodh në festa të mëdha kombëtare, duke bartur flamuj të lidhur në brez.Aty këtu shpërthenin fishekzjarrë, zhurma e të cilëve shoqërohej nga muzika e flokut shqiptar që dëgjohej fort jashtë dyqaneve të prodhimeve diskografike. Shitësit e cigareve kanë marrë përsipër edhe një misionin të ri, i sheh me flamuj shqiptarë të të gjitha përmasave, që i ofrojnë nga 10 euro një flamur i plotë në dy euro modelin më të vogël. Baret japin pije falas, flamujt valëviten duke e veshur Kosovën me të kuqe dhe orkestra është përgatitur të luajë himnin evropian, Odën e Bethovenit. Ndërkohë Kosova ecën para me festimet e saj. Një program 72 orësh me programe kulturore është parashikuar të mbulojë festimet: Festivale në rrugë, si dhe një flamur shqiptar 100 metra katror që do të shtrihet në Grykën e Kaçanikut që të çon në Maqedoni. Shitësit ambulantë ofrojnë edhe bluza me mbishkrimin “Sa mirë me qenë shqiptar”, shkruar m enje të kuqe të fortë mbi bluzat e bardha. Që mbrëmë, në sheshin “Nënë Tereza”, më i madhi në Prishtinë, turmat i bien daulles duke numëruar me ritmin e saj minutat që zbresin drejt shpalljes së Kosovës së pavarur. Prania e trupave të shumta të policisë dukej krejtësisht e papërfillshme, gjithkush kishte dalë në rrugë vetëm për të festuar. Flamujt që paralajmëronin pavarësinë vareshin nëpër dritaret e shtëpive dhe të dyqaneve, gjithçka me 50 për qind ulje. Ndërsa flamujt amerikanë valëviteshin në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen që kjo superfuqi i dha kosovarëve të marrin pavarësinë e kërkuar prej shumë vitesh. Flamuj gjigandë do të shpalosen në të gjithë vendin. Dhjetëra kilometra katror do të mbulohen nga flamujt e kuq me shqiponjën e zezë. Edhe pse ky nuk është flamuri që simbolizon shtetin e Kosovës, është flamuri i shqiptarëve në histori, është flamuri nën të cilin kanë luftuar për shekuj me radhë në emër të pavarësisë dhe lirisë të gjithë shqiptarët. Mikpritja është në nivelet më të larta. Hotelet kanë mirëpritur shqiptarë apo të huaj nga jashtë Kosovës me vetëm 30 euro për dy ditë, me ushqim dhe pije të përfshira në çmim. Qindra shqiptarë nga vendet rajonit janë nisur drejt Kosovës për të pritur numërimin drejt 0 që shënon arritjen e synimit më të madh të popullit dhe liderëve kosovarë, pavarësinë e vendit. 1 milion euro u ndanë nga qeveria e Kosovës për përgatitjen e festës së kësaj dite të madhe. Çdo gjë gjigande: Flamujt e kuq, një tortë super e madhe, 25 metra katror që do të vendoset në sheshin kryesor të Prishtinës, siç do të jetë edhe gjigande drita dhe zhurma festive e fishekzjarrëve. Dhe nuk janë pak, 80 tonë fishekzjarrë u blenë nga Bullgaria ditët e fundit për t’u hedhur në ajër pas deklaratës së Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Presidenti Fatmir Sejdiu në shesh para mijëra shqiptarëve, se pavarësia e Kosovës më në fund trokiti. Duket se Kosovën sot do ta bekojë edhe qielli. Me gjithë temperaturat e ulëta, koha do të sjellë një rrezatim të mrekullueshëm, i cili dashur-padashur do të bëhet pjesë festive e Prishtinës. Qeveria prishtinase ka shpërndarë pamflete ku iu bën thirrje qytetarëve që të festojnë me dinjitet fillimin e shtetësisë së Kosovës. Rreth 700 gazetarë të huaj dhe vendas janë vendosur në hotelet e kryeqytetit kosovar për ta raportuar për ngjarjen e madhe.