Topi përshëndet Kushtetutën e Kosovës
Presidenti i Republikës përshëndeti dje hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës duke e cilësuar atë si një proces të natyrshëm dhe demokratik të kalimit të kompetencave dhe përgjegjësive të drejtimit të shtetit të Kosovës autoriteteve lokale të zgjedhura nga shtetasit e saj. Në një njoftim për shtyp Presidenti Bamir Topi, e ka cilësuar ditën e djeshme si të rëndësishme “jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin dhe fqinjët e saj duke e kthyer atë në një shtet të barabartë dhe demokratik, ku dokumenti bazë juridik dhe politik i funksionimit të shtetit garanton të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë shtetasve të saj”. “Me miratimin e Kushtetutës, Kosova provoi se ajo dhe autoritetet e saj janë sa përgjegjëse, aq edhe të vendosura të ndërtojnë një shoqëri të barabartë dhe të sigurt për të gjithë shtetasit e saj”, - deklaroi Presidenti.