Kosova nderon viktimat e 11 Shtatorit

Në përkujtim të dhjetëvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, do të organizojë një ceremoni përkujtimore për të nderuar viktimat e kësaj dite tragjike për SHBA-të dhe gjithë botën demokratike. Në shenjë nderimi për viktimat dhe solidarizimi me të mbijetuarit, familjet dhe kombin e madh amerikan, janë ftuar qytetarët e Prishtinës, që nesër duke filluar nga ora 19:00 të ndezin qirinj para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në qendër të Prishtinës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, fton të gjithë qytetarët që të bashkohen në solidarizimin dhe nderimin për viktimat e 11 shtatorit, duke riafirmuar frymën e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë dhe dënuar sulmet terroriste kundër lirisë, demokracisë dhe botës së përparuar perëndimore.
“Populli i Republikës së Kosovës tashmë e ka shndërruar këtë përvjetor në ditë të kujtesës dhe respektit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleates themeltare të shtetësisë së Kosovës. Në këtë ditë, përmes akteve të bamirësisë dhe bashkimit të njerëzve të moshave, besimeve dhe përkatësive të ndryshme etnike, do të nderohen viktimat e sulmeve terroriste në mbarë botën”, thuhet në njoftim.
Më 11 shtator 2001 në SHBA, rreth 3 mijë njerëz humbën jetën tragjikisht nga sulmet e rrjetit terrorist Al Kaida, përfshirë edhe bashkëkombës tanë, kur terroristët rrëmbyen katër aeroplanë të linjave civile ajrore dhe goditën Kullat binjake në Nju Jorku dhe Pentagonin. Aeroplani i katërt u rrëzua në shtetin lindor të Pensilvanisë.