Kosovë, pikat kufitare në Veri, nën kontrollin e EULEX
Marrëveshja e KFOR-it për kontrollin e doganave në veri, më 16 shtator, do të pasojë me një marrëveshje të re. Qeveria e Kosovës, KFOR-i, përfaqësues të BE-së dhe EULEX-i, kanë arritur një marrëveshje për kontrollin e pikave kufitare 1 dhe 31, pas 16 shtatorit, kur përfundon marrëveshja e KFOR-it.
Media kosovare informon se nga data 16 shtator, pika 31 do të jetë nën kontrollin e EULEX-it, ndërkohë këta të fundit do t`i mbikëqyrë Policia e Kosovës. “Sipas marrëveshjes së arritur pikat kufitare dhe doganore në veri të Kosovës, 1 dhe 31, do të vihen nën kontroll të EULEX-it, ndërsa Policia e Kosovës do të bëjë mbikëqyrjen e punës së përditshme të oficerëve të EULEX-it. Në dogana do të ketë edhe doganierë kosovarë. Numri i Policëve të Kosovës do të jetë 3 për secilën pikë kufitare, pra gjithsej 6, ndër ta 3 shqiptarë dhe 3 serbë”, thekson media kosovare. Nga ana tjetër, thuhet se komanda do të jetë nën autoritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Komandantë në të dyja pikat kufitare do të jenë nga Policia e Kosovës”, thuhet ndër tjera në këtë marrëveshje. Sipas saj, përderisa EULEX-i në pjesët e tjera mbikëqyr doganierët kosovarë, në veri do të jetë e kundërta, Policia e Kosovës do t`i mbikëqyr ata të EULEX-it. Ndërkohë, sa i përket mallrave që kanë akcizë, si: alkooli e duhani, nuk do të lejohen as në pikën 1 e as në atë 31, por në kalimin kufitar në Mendare, ndërsa mallrat e tjera, do t`i nënshtrohen detyrimit doganorë. Në lidhje me sigurinë, KFOR-i edhe më tej do të jetë përgjegjës.
Kjo marrëveshje mundëson që pas 3 viteve doganat e veriut në futen nën kontroll dhe të mbikëqyren nga vendorët. Në këtë marrëveshje kanë marrë marrë pjesë, kryeministri Hashim Thaçi, komandanti i KFOR-it, Buhler, përfaqësuesi i përkohshëm i BE-së Gentilini, ambasadori amerikan Dell, ministri i brendshëm Rexhepi, ministrja e integrimeve Çitaku dhe zëvendëskryeministrja Tahiri.