E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova në Hagë, Bullgaria e mbron, Bolivia e Brazili kundër

HAGE-Në seancën e sotme dëgjimore dhe të fundit për këtë javë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Bolivia dhe Brazili kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke thënë se me të "është shkelur parimi i sovranitetit dhe tërësisë territoriale". Bullgaria ndërkaq, ka thënë se “krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive”.

Në seancën e sotme dëgjimore, fillimisht ka folur Bolivia. Ishte ambasadori Roberto Sarmjento ai që tha se “institucionet e përkohshme të Kosovës nuk kanë pasur të drejtën e shpalljes së pavarësisë dhe se ajo nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, meqë ka shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

“Parimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial është parim fundamental i OKB-së, ndërsa shpallja e pavarësisë së Kosovës ka cenuar këtë parim”, ka thënë përfaqësuesi i Bolivisë, Sarmjento, për të shtuar se Rezoluta 1244 ka garantuar “respektimin e integritetit territorial të Serbisë, ndërsa për Kosovën autonomi substanciale”.

“Parimi i vetëvendosjes nuk duhet të minojë parimin e integritetit territorial dhe si i tillë mund të zbatohet vetëm në rastet koloniale”, ka thënë Sarmjento.

Në këtë kuadër, ai ka konkluduar se “Kosova nuk ishte koloni, nuk ishte e okupuar dhe as territor i vetadministruar dhe si e tillë nuk ka pasur të drejtën e vetëvendosjes”.

Qëndrim të ngjashëm ka pasur edhe Brazili. Përfaqësuesi i këtij vendi, Hoze Medeiros, ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke thënë se “Rezoluta 1244 i ka ofruar Kosovës autonomi të gjerë, por, njëkohësisht, ka garantuar integritetin territorial të ish-Jugosllavisë”.
Përfaqësuesi i Brazilit ka vënë në pah se “Rezoluta 1244 nuk ka apostrofuar pavarësinë, por i është referuar autonomisë dhe vetadministrimit”.
“Institucionet e përkohshme të Kosovës, me shpalljen e pavarësisë, kanë shkelur Rezolutën 1244 dhe, rrjedhimisht, edhe zotimet politike të atyre që e miratuan këtë dokument”, ka thënë përfaqësuesi i Brazilit, Hoze Medeiros.

Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës gjatë ditës së sotme ka dalë Bullgaria.
Përfaqësuesi i saj, Zllatko Dimitrov, i cili, fillimisht, ka cituar rezolutat e OKB-së nga viti ’92, ’94 dhe ’99, që flasin për shkelje masovike të të drejtave të njeriut në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe.

Dimitrov ka pohuar se “Rezoluta 1244 kishte suspenduar të gjitha autorizimet e Beogradit në Kosovë” dhe ka shtuar se “pavarësia e Kosovës ka qenë episodi i fundit në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”.

Ai ka theksuar se “Kosova është rast i veçantë dhe ka dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe administrimi ndërkombëtar”.

Përfaqësuesi bullgar ka shtruar pyetjen “nëse në të drejtën ndërkombëtare ekziston fare dispozita me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë”, për t’u përgjigjur vetë, duke thënë se diçka e këtillë nuk ekziston dhe se “krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive”.
Zoti Dimitrov, duke folur për integritetin territorial, ka thënë se “ai ka të bëjë vetëm në raportet ndërshtetërore dhe jo në rastet e vendeve në dezintegrim e sipër”.

Duke folur, ndërkaq, për Rezolutën 1244, ai ka thënë se ajo “nuk ka paragjykuar asnjë zgjidhje dhe, rrjedhimisht, nuk është kërkuar që Kosova të mbetet me statusin e autonomisë, nëse nuk do të kishte zgjidhje politike”.
“Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel normat ndërkombëtare dhe as Rezolutën 1244 dhe si e tillë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë në fund përfaqësuesi i Bullgarisë, Dimitrov.
Ndryshe, seanca e sotme dëgjimore ka përmbyllur këtë javë të argumentimit të qëndrimeve për dhe kundër ligjshmërisë së shtetit të ri.

Java që vjen do të nisë me paraqitjen e qëndrimeve të Kinës, Qipros, Kroacisë dhe Danimarkës. Ndërkaq, të martën, më 8 dhjetor, qëndrimet e tyre do t’i paraqesin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Federata e Rusisë. 

Dita e trete
Seancën e djeshme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës e hapi Austria, ambasadori i së cilës Helmut Tiki, ka thënë se “shpallja e pavarësisë së Kosovës është konform me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

“E drejta ndërkombëtare nuk përmban dispozita që ndalojnë shpalljen e pavarësisë”, ka thënë përfaqësuesi austriak, për të shtuar se “shpallja e pavarësisë është bërë nga të zgjedhurit në rrugë diplomatike të Kosovës dhe jo nga institucionet e përkohshme”.
Ai gjithashtu ka pohuar se nuk ka kontradikta ndërmjet integritetit territorial dhe shpalljes së pavarësisë. Për të ilustruar këtë, Helmut Tiki ka thënë se “nga fillimi i viteve ’90, deklarata të pavarësisë kanë bërë edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia dhe kjo nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Përfaqësuesi i Austrisë ka theksuar se “me të drejtën ndërkombëtare nuk ndalohet dhe as sanksionohet secesioni, sepse aspekti i respektimit të integritetit territorial vlen vetëm për raportet ndërshtetërore”.

Duke folur gjithnjë mbi të drejtën ndërkombëtare, ambasadori Tiki ka konstatuar se “ajo nuk sanksionon çështjen e shpalljes së pavarësisë” dhe ka shtuar se “njohja e Kosovës nga 63 vende dhe vendet fqinjët dëshmon se shpallja e pavarësisë ishte konform normave ndërkombëtare”.

Në këtë kuadër, Austria ka ftuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të konstatojë se “shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”.

Në rradhët e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, gjatë ditës së sotme, fillimisht u rreshtua Azerbeixhani.
Ambasadori i këtij vendi, Agshin Mahdijev, përvec të tjerash, ka “kontestuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje”, duke thënë se “ajo nuk i takon çdo populli ose pakice, por vetëm disave që përmbushin disa veçori të caktuara politike”.

Megjithatë, ambasadori Mahdijev, ka pranuar se “nuk ka një rregull të prerë që definon këtë çështje në të drejtën ndërkombëtare”.

Edhe Bjellorusia kishte qëndrim të ngjashëm me Azerbeixhanin.

Përfaqësuesja e këtij vendi, Elena Grickenko, gjithashtu ka kundërshtuar legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Për të ilustruar këtë argument të sajin, zonja Grickenko është thirrur në Kushtetutën e vitit 1974, duke thënë se “ajo i jepte Kosovës të gjitha të drejtat ekonomike, politike dhe arsimore, pos të drejtës për shkëputje”. 

Diten e dyte deshmuan 4 shtetet e para
Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite kanë mbrojtur ne seancen e dyte pavarësinë e Kosovës dhe vullnetin politik të popullit të saj, ndërsa Argjentina ka kundërshtuar atë, duke e cilësuar si shkelje të tërësisë territoriale të Serbisë.
Dita e pare
Prishtina dhe Beogradi zyrtar ndërkaq që në ditën e parë të seancave dëgjimore, kanë paraqitur secila të drejtën e saj dhe kanë kërkuar nga Gjykata që të marrë një vendim bazuar, në siç, thanë të drejtën e tyre.

Ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë së Kosovës u soll përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në tetor të vitit të kaluar, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një Rezolutë të Serbisë me të cilën kërkohej mendimi këshilldhënës i Gjykatës për këtë cështje.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet që në pranverë të vitit të ardhshëm të marrë një vendim në formë të këshillës për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e cila, thuhet se nuk do obligojë asnjërën palë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›