E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova në Hagë, Kina e Qipro kundër, Kroacia pro

HAGE- Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të hënën kanë dhënë mendimet e tyre mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës Kina, Kroacia, Qiproja dhe Danimarka. Siç ishte pritur, Kina dhe Qiproja e kanë kundërshtuar atë, duke insistuar në parimin e paprekshmërisë së tërësisë territoriale; Kroacia, e ka mbrojtur fuqishëm shtetin e ri, duke elaboruar edhe proceset politike që kanë çuar deri tek krijimi i tij.

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, fillimisht është paraqitur Kina. Ambasadorja e këtij vendi në Holandë, Su Hançin, duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ka thënë se “ajo fton për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë”.

Su Hançin i është kthyer vitit ’99, duke pohuar se “NATO-ja kishte intervenuar në Kosovë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit dhe kishte shkaktuar katastrofë humanitare”.

Sipas saj, “Rezoluta 1244 ka ftuar për autonomi substanciale të Kosovës” dhe “shpallja e pavarësisë ishte shkelje e Rezolutës 1244”.

Edhe përfaqësuesja kineze ka pranuar se “e drejta ndërkombëtare nuk e ndalon dhe as nuk e sanksionon çështjen e secesionit”, por, megjithatë, ajo ka konstatuar se “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk mund të jetë neutrale rreth kësaj problematike në rastin e Kosovës”.

Su Hançin ka thënë se “vetëvendosja mund të miratohet në rastet e kolonive dhe okupimeve të jashtme dhe jo në raste të pjesëve integrale dhe multietnike të një shteti sovran, siç është rasti me Kosovën”.

Qiproja në këtë seancë është përfaqësuar me tre përfaqësues dhe në thelb, argumentet e tyre ishin në fakt në anën e Serbisë.

Ata thanë se “secesioni nuk është akt neutral dhe, rrjedhimisht, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë duhet të deklarohet për këtë çështje”. Aspekti tjetër i ngritur nga ky vend është fakti se “Qiproja mohon se Kosova ishte rast ‘sui generis’ dhe vetëvendosja nuk u takon pakicave, siç i kanë cilësuar ata shqiptarët e Kosovës”.

Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës argumentoi Kroacia. Përfaqësuesja e saj, Andrea Metelko Zgombic, me fjalimin e saj, ka zgjuar interesim në mesin e gazetarëve dhe qarqeve tjera diplomatike, për faktin se Kroacia ishte pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë dhe tash vend fqinj i Serbisë.

Zonja Zgombic fillimisht ka thënë se “pavarësisë së Kosovës i ka paraprirë një proces politik” dhe se “Kosova është një rast ‘sui generis’”.

Ajo ka pohuar se “pas Kroacisë, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur edhe vende të tjera fqinje, që ishin pjesë përbërëse të ish-Jugosllavisë”.

Duke folur për çështjen nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, zonja Metelko Zgombic ka thënë se “pavarësia e Kosovës nuk e ka cenuar me asnjë dispozitë të drejtën ndërkombëtare”.

“Nuk ka asnjë rregull në të drejtën ndërkombëtare që ndalon ose sanksionon secesionin”, ka thënë Metelko Zgombic, për t’i bërë pastaj një vështrim pozitës së Kosovës brenda ish-Jugosllavisë dhe represionit e dhunës që ishte ushtruar mbi shqiptarët.
(s.g/Europaelire/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›