Kosova ne OKB: UNMIK te iki, SHBA pranon pakesimin e trupave, Serbia Jo

Uashington, 24 mars, 08:50, NOA – Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm për arsye praktike dhe pragmatike, kërkonë përfundimin e misionit dhe mandatit të UNMIK-ut në territorin e saj.
Një fakt të tillë e ka vënë në dukje ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, dje gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për këtë vend.
Shefi i diplomacisë tha se autoritetet kosovare po kërkojnë mënyra për përmirësimin e gjendjes dhe kushteve të jetesës të pakicave, veçanërisht serbëve, por shtoi se autoritetet serbe nuk ndihmojnë, madje vazhdojnë t'i "mbështesin dhe inkurajojnë strukturat ilegale" në Kosovë.
Sipas tij, është Beogradi i cili i pengon serbët e Kosovës që të bashkëpunojnë me institucionet kosovare.
Hyseni gjithashtu e akuzoi Beogradin se përpiqet t'i pengojë përpjekjet e Kosovës për të bashkëpunuar me vendet fqinje, duke bllokuar pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.
Ndërkaq, shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, e ka vlerësuar gjendjen në Kosovë si relativisht të qetë dhe ka shtuar se edhe Prishtina, por edhe Beogradi kanë treguar përmbajtje për të mos shkaktuar tensione.
Zannier ka përmendur shtrirjen e Misionit evropian për drejtësi dhe polici, EULEX dhe angazhimet e të dyja misioneve për të vendosur rendin dhe ligjin. Por sipas tij, kanë mbetur edhe shumë sfida për Kosovën.
Nga ana e tij, presidenti serb, Boris Tadiç e ka përshkruar gjendjen në Kosovë si shumë të rëndë dhe ka nënvizuar se serbët e Kosovës nuk kanë liri të lëvizjes, liri të shprehjes dhe madje as edhe drita dhe ujë.
Tadiq ka thënë se Serbia duhet ta vazhdojë bashkëpunimin e partneritetit me EULEX-in dhe UNMIK-un "për zbatimin e raportit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, si dhe planit të tij 6-pikësh, i cili parasheh vazhdimin e dialogut me Beogradin".
Tadiq ka theksuar se Serbia "kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, qoftë në mënyrë direkte apo të tërthortë, dhe do të vazhdojë me mbrojtjen diplomatike, juridike dhe paqësore të integritetit të saj".
Ndërkaq, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, Rosmary Di Karlo tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë që roli i UNMIK-ut të pakësohet më tej.
Ndërsa lidhur me deklaratën e Tadiç, ajo u shpreh se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
“Kosova është njohur nga 56 vende anëtare të OKB-së. Që Kosova të ketë sukses si vend demokratik, ajo ka anevojë për bashkëpunimin e komunitetit serb”, tha Di Karlo.
n.e/NOA