E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova në Rusi, edhe pse vendasit nuk e njohin si shtet

Botërori i Pingpongut

Përfaqësuesja e Kosovës në pingpong në konkurrencën e meshkujve dhe atë të femrave është nisur të shtunën drejt Rusisë, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, që mbahet nga data 23 deri më 30 maj në Moskë. Madje, anëtarët e ekspeditës kosovare në Rusi do të hyjnë me pasaporta të Republikës së Kosovës, edhe pse shteti i ri i Kosovës nuk është njohur ende nga vendi mikpritës i këtij kampionati. “Kemi pasur shumë peripeci derisa kemi arritur t’i sigurojmë vizat, pasi kemi hasur në pengesa të mëdha nga Federata e Pingpongut e Rusisë dhe qeveria ruse. Në këtë rast duhet falënderuar presidenti i Federatës së Pingpongut Ndërkombëtar (ITTF), Adham Sharara, i cili bëri të mundur që të jemi në Botëror. Më në fund siguruam vizat dhe të gjithë pingpongistët për në Moskë udhëtojnë me pasaporta të Republikës së Kosovës”, ka thënë nënkryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës (FPPK), Idriz Prestreshi, në një konferencë për mediat. Për Kosovën, kjo është hera e shtatë që merr pjesë në Botëror. Kombëtarja e Kosovës për meshkuj do të garojë në Grupin T, bashkë me Kazakistanin, Republikën Demokratike të Kongos dhe Monakon. Kosova përbëhet nga Rrahman Ademaj, Linor çitaku, Ulli Prestreshi, Milot Makolli dhe udhëhiqet nga Avni Jashari. Kurse në konkurrencën e femrave, Kosovën do ta udhëheqë Besart Domaniku dhe do të garojnë këto pingpongiste: Arjeta Tërstena, Amare Janjeva, Nehare Janjeva dhe Nuraj Kurteshi.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›