E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten gjobat për energjinë

Rritja e çmimit të energjisë do të ndiqet dhe me rritjen e pagesës së dëmit ekonomik që shkaktohet nga personat që vjedhin energji elektrike. Me kërkesë të Korporatës Energjetike, Enti Rregullator i Energjisë ka përfunduar rillogaritjet e reja të dëmit ekonomik që duhet të paguajnë personat që vjedhin energji. Pra, e thënë ndryshe, përveç gjobave, abuzuesit e energjisë do të paguajnë edhe dëmin ekonomik, kjo e shprehur në kilovatë, por tashmë e llogaritur me çmimin maksimal të energjisë. Burime pranë Entit Rregullator të Energjisë kanë shpjeguar për gazetën “Korrieri”, se këto ndryshime ndërmerren si rezultat i kërkesës së Korporatës Energjetike. Kjo për faktin se, duke qenë që çmimet e reja të energjisë për përdoruesit familjarë përmbajnë dy nivele çmimesh, po hasen vështirësi në llogaritjen e dëmit ekonomik. Por tashmë, kilovatët e llogaritur si dëm ekonomik që janë shkaktuar nga vjedhja e energjisë, të përcaktuar sipas kundravajtjes administrative, nuk do të paguhen me çmimin e mëparshëm të energjisë. Tani këto kilovatë që duhet të paguajë abuzuesi, do të jenë me çmimin më maksimal të energjisë, duke përfshirë këtu edhe pagimin e TVSH-së në masën 20 për qind, sipas llojeve të përdoruesit. Pra, konkretisht, nëse një përdorues familjar i energjisë ka cenuar sistemin matës dhe të vulave, bëhet fjalë për banesë me lidhje njëfazore, ku më parë ai paguante 1 mijë lekë të reja gjobë, duke përfshirë këtu edhe pagesën e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën e 2000 kwh, çmime të cilat llogariteshin me çmimin e mëparshëm të energjisë, 7 lekë. Pra, në total, ky familjar sipas llogaritjeve për dëmin e shkaktuar duhet të paguante 178 mijë lekë të vjetra. Pra, tashmë, sipas llogaritjeve të reja të Entit Rregullator të Energjisë, ky abuzues për dëmin ekonomik nuk do ta paguajë kilovatin me 7 lekë, por me çmimin e ri maksimal për këtë bllok konsumatorësh, që është 12 lekë/kwh. Sipas përllogaritjeve, duke përfshirë edhe pagimin e gjobës, do të paguajë 298 mijë lekë të vjetra, pra rreth 120 mijë lekë më shumë se dëmi sipas llogaritjes së vjetër. Për të gjithë përdoruesit familjarë të energjisë që kryejnë kundravajtje administrative, si për “lidhje abuzive para sistemit matës” apo “cenim të sistemit matës” dhe “lidhje me rrjetin elektrik pa kontratë”, llogaritja e dëmit ekonomik nuk do të kryhet me çmimin e mëparshëm të energjisë, por me çmimin maksimal të energjisë që ka hyrë në fuqi pas 1 marsit, kurse vlera e gjobave është e pandryshueshme. Akoma më të rënda do të jenë vlerat e dëmit ekonomik që duhet të paguajnë përdoruesit jofamiljarë. Konkretisht, për përdoruesin jofamiljarë me lidhje në TU 3-fazore deri në 50 kwh ose automat deri 80 A, përveç gjobës prej 30 mijë lekësh të reja që ai duhet të paguajë, do të paguajë gjithashtu edhe dëmin ekonomik, ku edhe këtu ai do të llogaritet me çmimin maksimal të këtij grupi konsumatorësh, që është 12 lekë/kwh. Pra, në total ky përdorues për këtë lloj kundravajtjeje administrative i duhet të paguajë 1 740000 mijë lekë të vjetra. Sipas Entit Rregullator të Energjisë, vlera e gjobave për personat që kryejnë kundravajtje administrative mbetet e pandryshueshme, kurse llogaritja e dëmit ekonomik do të kryhet me çmimin më të lartë të energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›