E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikantët s‘flasin, dështojnë përgjimet

• Përgjimeve telefonike “u del boja”. Arma më e fortë në duart e policisë dhe Prokurorisë kundër krimit, nuk është më efektive.Trazhgim SokolajPrej muajsh policia shqiptare po i vuan seriozisht pasojat e abuzimit me përgjimet telefonike. Trafikantët apo të dyshuarit për korrupsion shmangin telefonatat, ndërsa përgjimet po dështojnë. Me të njëjtat pasoja si policia, po përballet edhe Prokuroria e cila në shumicën e rasteve autorizon dhe paraqet në gjykatë kërkesat e policisë për përgjimin e të dyshuarve. Në mënyrë të dukshme vitin e fundit përgjimet e personave të dyshuar po dalin “blof” njëra pas tjetrës, pasi nuk përmbajnë fakte me vlerë. Ka raste kur edhe pse janë zhvilluar me ditë të tëra, përgjimet nuk kanë pasur asnjë vlerë pasi nuk përmbanin asnjë fakt implikues për të dyshuarit. Shkak është bërë fakti se të dyshuarit për trafiqe apo për korrupsion kanë reduktuar ndjeshëm telefonatat lidhur me aktivitetin e paligjshëm. Ata po kryejnë mënyra të tjera komunikimi rreth “pazareve” të korrupsionit apo transportimit të drogës e klandestinëve dhe nuk preferojnë të komunikojnë asgjë në telefonata. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë dhe Prokurorisë. DështimiSipas tyre, drejtues të këtyre institucioneve janë të shqetësuar për pasojat që ka sjellë abuzimi me përgjimet. Personat e implikuar në krime e kanë të qartë se përgjohen nga policia apo Prokuroria dhe nuk flasin në telefon. Kjo po ndodh vetëm pak kohë pasi policia shqiptare ndërmori një fushatë të gjerë publiciteti pikërisht për përgjimet. Pas çdo operacioni kundër trafikut të drogës, armëve apo klandestinëve, pas çdo arrestimi zyrtarësh të akuzuar për korrupsion, në deklaratat e policisë nxitohej të thuhej se hetimi ishte kryer me metoda speciale. Qëllimi ndoshta nuk ishte dekonspirimi i përgjimeve, por mburrja e policisë para publikut për zbatimin e teknikave speciale të hetimit, duke i paraqitur ato si një arritje të madhe institucionale. Abuzimi ka shkuar deri aty sa botërisht në media janë bërë publike dhjetëra biseda të arrestuarish të regjistruara nga policia dhe Prokuroria. Si rrjedhim, gjatë muajve të fundit janë ndeshur raste në hetim, kur personat e përgjuar siç rezulton nga të dhëna të tjera kanë kryer korrupsion apo edhe trafik droge, ndërsa në gjithë bisedat e përgjuara mes tyre nuk flitej asnjëherë për këtë fakt. Një fenomen i tillë ka nxjerrë të pavlera dhjetëra procedura përgjimesh të zhvilluara gjatë muajve të fundit.PërgjimetHyrja në përdorim të gjerë e operatorëve celularë dhe numri i madh i përdoruesve të tyre shkaktoi ndryshime edhe në praktikat e përgjimit. Nëse më parë përgjoheshin telefonatat në numrat fiks, numri i madh i përdoruesve të celularëve detyroi organet shtetërore që përgjimet t’i shtrijnë në këtë linjë. Në mënyrë të veçantë gjatë katër viteve të fundit përgjimet janë përdorur efektivisht në proceset penale. Përgjimet janë kryer nga zyra e veçantë e Shërbimit Informativ. Përmes tyre policia dhe Prokuroria kanë mësuar vendin ku trafikantët shkëmbenin drogën, kohën kur armët e trafikuara mbërrinin në Shqipëri apo kohën dhe vendin e takimit të zyrtarëve të korruptuar me sekserët e tyre. Duke qenë të informuara mirë, policia dhe Prokuroria kanë kryer ndërhyrjet në momentin e duhur duke kapur të dyshuarit në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale. Përgjimet e telefonatave me celular u kthyen kështu në një praktikë të suksesshme hetimi. Si rrjedhim, numri i kërkesave të Prokurorisë dhe policisë për përgjimin e të dyshuarve u rrit ndjeshëm. Në një deklarim të bërë pak kohë më parë në media, ish-prokurori i Përgjithshëm Sollaku është shprehur se, në raport me numrin e popullsisë, Shqipëria ka një numër të lartë personash të përgjuar.Trafikantët s‘flasin as me nofkaTIRANE – Edhe më parë ndaj përgjimeve ka ekzistuar frika e trafikantëve apo personave që kryenin korrupsion. Ata e kishin të qartë se mund të ishin në përgjim gjatë aktivitetit të tyre, mirëpo nuk përmbaheshin në telefonata sa tani. Gjithsesi ata ekspozonin një pjesë më të madhe të aktivitetit të tyre në komunikimin me celular, duke vënë në përdorim nofka të caktuara të njohura ndryshe si “kode komunikimi”. Për shembull disa grupe kriminale kur flisnin për nisjen e një ngarkese droge, apo për marrjen në dorëzim të saj përdornin fjalën “malli” ose “pantallonat”. Në këtë mënyrë trafikantët mendonin se ekspozimi i këtyre fjalëve në telefon nuk do të kishte pasoja. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastet e përgjimeve për korrupsion. Zyrtarët e korruptuar apo sekserët e tyre nuk flisnin për paratë, apo tenderin e shitur, por për “pakon”, e cila simbolizonte ryshfetin. Mirëpo përgjimet u kthyen në një procedurë tejet të zbatuar nga policia dhe Prokuroria saqë hetuesit u bënë ekspertë të deshifrimit edhe për nofkat e trafikantëve dhe të korruptuarve. Në këtë mënyrë, dyshimet e personave që kryejnë krime, se ata ishin në përgjim, konfirmoheshin përmes deklaratave publike të policisë që konfirmonte se hetimi ishte kryer me metoda speciale.                       t.sDy llojet e përgjimeve telefonikeTIRANE – Ligji shqiptar njeh dy lloje përgjimesh telefonike, të cilat ndahen në dy kategori: parandalues dhe procedural. Përgjimi parandalues mund të zhvillohet nga shërbimet e policisë apo nga struktura të tjera të shtetit me qëllim parandalimin e veprimtarisë kriminale, shmangien e ngjarjeve që cenojnë sigurinë publike apo kapjen në flagrancë të personave që janë implikuar në një krim. Për këtë lloj përgjimi nuk është i nevojshëm vendimi i gjykatës pasi në fakt, një përgjim i tillë jo vetëm që nuk paraqitet para togave të zeza, por edhe nuk njihet si provë prej tyre. Përgjimi parandalues realizohet nga zyra e posaçme e Shërbimit Informativ, e pajisur me teknologji britanike. Lloji i dytë i përgjimeve që zhvillohen në Shqipëri është ai i përgjimeve procedurale. Këto janë përgjimet e kryerja më së shumti nga policia dhe Prokuroria për interesa të hetimit të çështjeve penale. Përgjime të tilla nuk mund të realizohen pa autorizimin e gjykatës. Miratimi nga gjykata i këtyre përgjimeve duhet të bëhet pasi në të kundërt ato nuk kanë efektin e provës gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë. Në momentin e lejimit të përgjimit nga gjykata, nëse të përgjuarit flasin për aktivitetin kriminal dhe bisedat e tyre përmbajnë fakte, atëherë interceptimi njihet si provë nga gjykata dhe në bazë të tij togat e zeza mund të fajësojnë personat e arrestuar për krime të ndryshme.    Shifrat e Gjykatës së Tiranës, për një vit u përgjuan 1196 telefonataTIRANE – Celularët e rreth 1200 kryeqytetasve janë përgjuar gjatë vitit të kaluar. Shifra është bërë publike në ueb-siten zyrtare të Gjykatës së Tiranës, ku pohohet se me kërkesë të Prokurorisë është vendosur përgjimi i telefonave të 1196 personave, të dyshuar për kryerjen e krimeve të ndryshme apo përfshirjen në vepra e kundërvajtje penale. Burime nga ky institucion pohuan dje se, kërkesat për përgjimet telefonike janë paraqitur në gjykatë nga përfaqësuesit e organit të akuzës dhe pasi janë shqyrtuar nga gjyqtarët e gatshëm, është vendosur të pranohen. Sipas tyre, pjesën më të madhe të kërkesave për përgjim e kanë depozituar në gjykatë përfaqësues të Zyrës së Antikrimit Ekonomik, dhe më pak raste prokurorë të sektorëve të tjerë. Që nga momenti i krijimit Sektori i Task-Forcës në Prokurorinë e kryeqytetit nisi hetimin dhe goditjen e grupeve të ndryshme të personave të përfshirë në krime ekonomike. Si pasojë e përgjimeve të realizuara nga Prokuroria në verë të vitit të kaluar, u prangosën në muajin tetor zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka dhe 8 persona të tjerë të përfshirë në afera korruptive. Më pas u prangosjen punonjës të Tatim-Taksave dhe punonjës të Ministrisë së Punës. Gjatë kësaj kohe në bazë të përgjimeve janë prangosur mjaft të dyshuar si autorë krimesh, përfshi këtu gjashtë persona të arrestuar pak ditë më parë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në kryeqytet, pasi kishin falsifikuar dokumentacionin e një prone në Tiranë. Këta, sipas Prokurorisë, janë përgjuar për gjashtë muaj me radhë, derisa u vendos të arrestoheshin një javë ma parë, kur u mblodhën provat e duhura nga hetuesit. Ndërsa Krimet e Rënda për vitin e kaluar përgjuan 486 persona.                            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›