E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët: Ky është shteti i çudirave

• Çmimet e vendosura nga qeveria për trojet dhe tatimi që do t’u vilet pronarëve, cilësohen nga shoqata “Pronësi me Drejtësi” si një vendim që i merr vetëm shteti i çudirave.BLEDAR HOTI Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës, Reshit Vorpsi, në një prononcim për “Panorama” shprehet se, “qeveria me vendimin e marrë sanksionon një unifikim të çmimeve, duke mos zbatuar tregun e lirë në vend”. Vorpsi shprehet se qeveria po vepron me tre standarde në lidhje me pronën në Shqipëri. Sipas tij, çmimet e shitjes të përcaktuara nga ana e qeverisë janë më të larta se ato të përcaktuara në metodikën e qeverisë për kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Efekte të drejtpërdrejta ky vendim nuk ka, është në interesin e pronarëve në raport me kompensimin. Por mendoj se në zonën e Tiranës ato janë më të larta se sa çmimet që zbatohen nga qeveria për metodikën. Shteti shqiptar është drejt unifikimit të çmimeve, kjo kupton për tregun e lirë. Të gjithë e pranojnë se ka pasur një luhatje për çmimet, shteti shqiptar dhe qeveria shqiptare nuk i interesojnë çmimet që deklarohen, kjo ka qenë një masë në interes të qeverisë”, deklaroi Vorpsi. Kjo është edhe arsyeja që ish-pronarët shprehen të çuditur në lidhje me vendimin e marrë. “Shteti u shet pasuritë publike personave të tretë me çmime shumë herë më të ulëta se sa çmimet që po kërkon të aplikojë me këto vendime. Për banorët e zonave informale, të cilat kanë zaptuar tokën e ish-pronarëve, shteti iu merr 10 USD për metër katrorë, ndërsa për ish-pronarët i merr më shumë lekë. Pra, kemi të bëjmë me një shtet të çudirave, efektivisht pasi shet lirë dhe blen shtrenjtë, një efekt tërthorë, duke përdorur tre nivele çmimesh”, theksoi Vorpsi. Për tatimin e vendosur ndaj pronës që do të shitet, sekretari i shoqatës thekson se një vendim i tillë shihet si një cinizëm ndërmjet raportit për të grumbulluar lekë dhe për të kompensuar i jep më lirë. Çmimet e miratuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin financiar të ish-pronarëve në krahasim me ato të vendosura nga ana e Ministrisë së Financave për shitblerjen e trojeve, kanë ndryshime të mëdha. Nisur nga kjo, ish-pronarët janë shprehur prej kohësh për një rishikim të çmimeve që ato të përafrohen mbi bazën e vlerës së tregut. Ndërsa përplasja më e madhe qëndron në lidhje me legalizimet e zonave informale, ku çmimet që këta banorë duhet të paguajnë janë vendosur me një çmim paraprak nga Ministria e Financave, duke mos i paguar në bazë të vlerës së tregut, apo sipas metodikës së vlerës së çmimeve, të përcaktuar nga ana Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe të miratuar nga Kuvendi. Pjesë nga udhëzimi i Financave dhe Drejtësisë për pronën1. Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtese, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Ky paragraf nuk zbatohet në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast tatimi i të ardhurave kryhet sipas procedurës së dhënë në nenin 20 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. 2. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kesaj pasurie, në përputhje me aktet ligjore përkatëse. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet, pa provuar pagimin e detyrimit pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. 3. Me kalim të së drejtës së pronësisë, kuptohet akti i shitjes apo akti i dhurimit të pasurise së paluajtshme. Në kuptim të nenit 11 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë ndërtese apo toke. 4. Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë  sipërfaqen në metër katrorë të pasurisë, çmimin për metër katrorë dhe vlerën e saj. Kontrata duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera, që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse.7. Në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën, për efekt të përcaktimit të detyrimit tatimor, si çmim minimal i shitjes do të merret çmimi i përcaktuar në VKM nr.555, datë 29.08.2007, VKM nr.653, datë 29.09.2007, dhe VKM nr.139, datë 13.02.2008. Për zonat e tjera të vendit, Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme do të marrin në konsideratë vendimet e Këshillit të Ministrave, nëpërmjet të cilave do të përcaktohen çmimet minimale të trojeve në hartat përkatëse të këtyre qarqeve.10. Tatimi mbi të ardhurat nga kalimi i të drejtës së pronësisë paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›