E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet dheu, plagoset minatori

• Plagoset në galeri minatori 47-vjeçar. Esat Dedja, baba i 8 fëmijëve ka rrezikuar jetën mesditën e djeshme, ndërsa me kolegë po punonte në minierën e kromit në Bulqizë.Burime të sigurta informacioni sqarojnë se minatori është plagosur në nivelin 14. Ai po kontrollonte frontin e punës ku punonte bashkë me dy kolegë të tij, Subi Alla e Bashkim Senalla. Sipas tyre, si çdo ditë tjetër kanë hyrë në minierë dhe kanë nisur kontrollin e frontit të punës. “Esati kishte një levë të gjatë në duar dhe po prekte tavanin e galerisë për të parë nëse kishte gurë që mund të binin poshtë apo jo. Nga zhurmat që dëgjonim, kishim besim se nuk do të kishte shembje. Mirëpo kemi shtangur kur krejt papritur një masiv shkëmbor shembet dhe zë poshtë Esatin. Thirrëm me sa fuqi kishim që ai të largohej, por megjithë tërheqjen e tij masivi i gurëve e zuri poshtë”. Pjesën e poshtme të trupit, sipas dëshmitarëve e kishin zënë gurë të mëdhenj, ndërkohë që kanë nxituar ta shpëtojnë. “Ai humbi ndjenjat dhe kjo na frikësoi keq. Pasi e nxorëm nga masivi i gurëve arritëm ta nxirrnim në sipërfaqe dhe ta dërgonim në spital”. Mjekët që ndodheshin aty bënë të pamundurën për t’i ardhur në ndihmë atij, por në spitalin e Bulqizës nuk ka mjek kirurg. Minatorët kërkuan një helikopter për transportimin e shpejtë të të plagosurit për në Tiranë, por mjegulla mbi Bulqizë e ka bërë të pamundur fluturimin. Në këto rrethana minatori u transportua me ambulancën e spitalit lokal për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Të afërmit e minatorit të plagosur kanë mbërritur shpejt nga Fushë-Bulqiza në spitalin lokal të rrethit, por nuk e kanë gjetur Esatin aty pasi ai ishte transportuar në drejtim të Tiranës. Mjeku roje u ka sqaruar se 47-vjeçari kishte fraktura në trup, për shkak të peshës së gurëve të shembur, por ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Përfaqësuesit e këshillit sindikal të minierës së kromit pohuan se ndoshta brenda dy ditëve ata do të marrin një vendim për të nisur protestat, për kushtet e punës, pagat, mungesën e investimeve nga koncesionari, mungesën e mjekëve, etj. Pak ditë më parë, në minierë humbi jetën nënkryetari i sindikatës, Njazi Alliu. e.d/r.nReagimi: Sillni një kirurg në spitalMinatorët që iu ndodhën pranë minatorit të aksidentuar ditën e djeshme kritikuan me zë të lartë Ministrinë e Shëndetësisë që nuk ka marrë masa për caktimin e një mjeku kirurg në spitalin e Bulqizës. Sipas tyre, është jashtë logjike ky fakt, kur dihet se rastet e aksidenteve janë të shumta dhe prania e një specialisti të tillë është mëse e domosdoshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›