“Kosova një hap më afër integrimeve euroatlantike”
Imami, në takimin Rajonal të Ministrave të Mbrojtjes, organizuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK)
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, prej dy ditësh ndodhet në qytetin e Pejës, Kosovë, ku po zhvillohet takimi i parë i ministrave të mbrojtjes së rajonit. Në këtë takim ku marrin pjesë ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësues nga Komanda e SHBA-ve për Europën dhe NATO-n, është vënë re mungesa e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, i cili ka bojkotuar takimin. Konferenca e cila është realizuar me ftesë të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, është e para e këtij lloji që zhvillohet në nivel ministrash të mbrojtjes së vendeve të rajonit.
Në hapje të konferencës krerët e shtetit theksuan se Kosova është e interesuar që në kuadër të nismave rajonale të kontribuoj për paqen e stabilitetin në rajon edhe me angazhimin konkret të FSK-së në operacione. Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes Shqiptare, Arben Imami, e cilësoi këtë takim, një hap të rëndësishëm dhe domethënës për aspiratën integruese euro-atlantike të Kosovës.
“Duke pasur parasysh të gjithë mbështetjen që Aleanca e Atlantikut të Veriut i ka dhënë në vijimësi këtij shteti të ri të Europës, duke pasur parasysh mbështetjen pa rezerva nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mbështetjen e vendeve të rajonit, të gjithë ne shpresojmë që kjo rrugë do të jetë sa më e shkurtër. Por, duhet ta themi që ky është një hap përpara, koha do të na tregoj se deri në çmasë ky hap do të ndihmojë, ka ndihmuar, apo ka kontribuar për arritjen e këtij qëllimi të madh të Kosovës”, ka deklaruar ministri Imami. Në përfundim të ditës së parë të punimeve, ministrat e mbrojtjes kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, ku thuhet se është arritur qëllimi për bashkëpunimin bilateral, rajonal, dhe euroatlantik, në fushën e sigurisë, si dhe në fushën e përgjigjeve ndaj emergjencave civile. Në këtë deklaratë po ashtu thuhet se "nëse duam të maksimizojmë efikasitetin në këto fusha, ne duhet që në mënyrën më të mirë të mundshme të koordinojmë kapacitetet e secilit vend të interesuar”.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e pranishme në ceremoninë e hapjes së takimit, tha se shkëmbimi i përvojave dhe gjetja e formave më të mira të bashkëpunimit, janë në interes të të gjitha vendeve dhe qytetarëve të rajonit. Ajo ka rishprehur qëllimin e Kosovës, që ashtu si i tërë rajoni, të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se konferenca, dërgon mesazhin për të ardhmen e Kosovës, por edhe të rajonit ndërsa shtoi se Republika e Kosovës është dhe gjithmonë do të jetë partner serioz për paqe dhe stabilitet në rajon.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, theksoi gatishmërinë e FSK-së, për të marrë pjesë apo për të kontribuar në ruajtjen dhe ndërtimin e paqes në rajon e më gjerë. Në fund të kësaj konference u shpreh gatishmëria se ministrat e vendeve pjesëmarrëse do të mbështesin vullnetin e popullit dhe institucioneve të Kosovës, për t’u anëtarësuar në strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë.