E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majlinda Bregu: Shqipëria ka shënuar progres në të gjitha fushat

06-11-2011 / Gazeta 55

Ministrja Integrimit Evropian merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Grupit të Vishegradit, në Pragë të Çekisë

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Grupit të Vishegradit (Republika Ceke, Poloni,Hungari, Sllovaki) dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Pragë, më 4 nëntor 2011. Të ftuar në takim ishin dhe ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe Drejtori i Shërbimit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Ministrat shprehën vullnetin për forcimin e marrëdhënieve të vendeve të Vishegradit me Ballkanin Perëndimor, duke përdorur edhe instrumentet e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit për intensifikimin e bashkëpunimit konkret. Ministrat e vendeve të rajonit tone ranë dakord që, sipas shembullit të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, të krijojnë një mekanizëm të ngjashëm për bashkëpunimin midis institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile në rajon.
Ministrja Bregu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vendeve të Grupit të Vishegradit për realizimin e së ardhmes europiane të vendeve të rajonit tonë, e cila bëhet edhe më e rëndësishme në momentin aktual, kur rajoni ka hyrë në një fazë të re të integrimit europian. Ministrja Bregu përgëzoi vendet që kanë marrë përgjigje pozitive për të ecur para në procesin e integrimit dhe shprehu angazhimin e qeverisë dhe shumicës qeverisëse për kapërcimin e ngërçit politik në Shqipëri, për shkak të të cilit Komisioni Europian nuk rekomandoi statusin e vendit kandidat. Pasi nënvizoi se “ngërçi politik nuk duhet të eklipsojë progresin e kryer nga Shqipëria në procesin e reformave në të gjitha fushat”, ministrja Bregu bëri një pasqyrë të arritjeve të reformave në vitet e fundit.
Në një takim të posaçëm me ministrin e Jashtëm të Republikës çeke, Karel Schwarzenberg, Bregu ritheksoi se “pavarësisht ngërçit politik, Shqipëria është një vend për të cilin liberalizimi i vizave ishte një njohje e arritjeve në konsolidimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në garantimin e të drejtave të njeriut. Zbatimi i mirë i MSA-së dëshmon rritjen e kapaciteteve tona administrative dhe përgatitjen për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE. Shqipëria vazhdon të kontribuojë në mënyrë të qenësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kontributi ynë për paqen dhe stabilitetin shkon përtej rajonit: ne jemi shtet anëtar i NATO-s dhe anëtarësimi në Aleancë ishte jo vetëm njohje e kapacitetit tonë për të kontribuar në sigurinë globale, por edhe e konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend”, u shpreh ministrja Bregu.
Nga ana e tij, ministri Schwarzenberg i shprehu ministres Bregu gatishmërinë e Republikës çeke për të mbështetur Shqipërinë në vazhdimin e udhës së saj drejt anëtarësimit ë BE.
Ky takim u mbajt në vijim të traditës së takimeve të Grupit të Vishegradit dedikuar Ballkanit Perëndimor, integrimi europian i të cilit përbën një nga interesat e përbashkëta të katër vendeve të Evropës Qendrore, veçanërisht në momentin aktual kur Polonia mban Presidencën e BE, duke pasuar Presidencën e Hungarisë - një vendi tjetër të Grupit të Vishegradit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›