E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët ndoqën një “Reality Show të tipit “Terapi Grupi”

06-11-2011 / Gazeta 55

Gerti Bogdani: Edi Rama në Kongres, ia hodhi edhe Fidel Kastros

Partia Demokratike reagoi dje lidhur me maskaradën e demonstruar nga Edi Rama në Kongresin e trukuar të PS, nga ku lëshoi akuza dhe kërcënime për klasën politike kundërshtare dhe për mbarë shqiptarët në vend.
Deputeti i PD-së, Gerti Bogdani tha se Rama e ktheu Kongresin në një “reality show” krejtësisht të ri, “Terapi – Grupi”, ku delegatët të klonuar veç sa e ndihmuan të mbulonte përgjegjësitë e dështimeve elektorale, por ia doli që në rilindjen e socializmit të etërve të tij, të lerë pas Fidel Kastron apo Hugo Chavez.
“Sot, ne ndoqëm premierën e një “reality show” krejtësisht të ri për Shqipërinë dhe Shqiptarët, ‘Terapi Grupi’.
Në të, lideri i opozitës është një i ftuar, i cili flet gjatë për të gjitha dështimet që e përndjekin, në praninë e delegatëve të tij të klonuar, duke shpresuar se artikulimi i dështimeve do ta ndihmojë t’i harrojë. Duke pasur shumë dështime për të cilat të flasë, Rama mund edhe të ketë vendosur një rekord të ri botëror, duke lënë mbrapa edhe vetë Fidel Kastron apo Hugo Chavez. Natyrisht, në përfundim të çdo episodi të këtij ‘reality show’, realiteti, i cili është tejet i zymtë për të ftuarin, zëvendësohet nga elemente të kuptueshëm vetëm prej tij. Në këtë trill, rilindja e socializmit të etërve të tij nënkupton rilindjen e Shqipërisë. Në këtë trill, Berisha ndërton rrugë vetëm për veten e tij edhe pse Rama shkel në të njëjtat rrugë për të shkuar në pronat e tij në Qeparo në breg të detit apo në klimën malore të Dardhës. Në këtë trill, djali i Rama udhëton për të studiuar në Paris si shpërblim për arsimimin e dobët të përftuar në institucionet e shkatërruara, sipas tij, të arsimit në Shqipëri. Në këtë trill, Rama ëndërron që problemet t’i zgjidhë retorika boshe dhe jo puna e palodhur. Në këtë trill, promovimi i dështimit dhe ndëshkimi i suksesit do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik. Në këtë trill, një plan i konsideruar, i dështuar, nga i gjithë komuniteti i biznesit, papritur ndihmon pikërisht këta të fundit. Në këtë trill, numërimi i çdo vote dhe dëgjimi i zërit të çdo qytetari nënkupton grabitjen e votës së lirë. Në këtë trill, heroi i punës socialiste, Dinë Hyka, ri-shfaqet si me magji dhe krijon 300 mijë vende pune. Në këtë trill, keq menaxhimi financiar i Bashkisë së Tiranës e bën Rama të aftë të mirë – menaxhojë borxhin publik, u shpreh deputeti demokrat, Bogdani, duke shtuar se, për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, të shpresojmë se ky ‘reality show’ nuk do të jetë ‘live’ gjatë gjithë sezonit”.
Sipas deputetit demokrat, Edi Rama krijoi edhe ndasi midis shqiptarëve duke vendosur një pjesë kundër pjesës tjetër.
Ai garantoi se nga ana tjetër, Partia Demokratike është e vendosur të punojë njësoj dhe me përkushtim për çdo Shqiptar.
Edi Rama nuk përmendi të vetmin akt që ai mund të ndërmarrë për të ndihmuar shqiptarët, votimin e ligjeve me 3/5 të cilat ai i ka bllokuar. Këto ligje mbështeten plotësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe do të japin një ndihmesë të madhe në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe çdo aktiviteti tjetër që do përmirësonte jetën e qytetarëve.
Deputeti demokrat Bogdani tha më tej se “Partia Demokratike beson se jo retorika boshe, por puna e palodhur përmirëson jetën e qytetarëve nëpërmjet zhvillimit ekonomik, ndërtimit të rrugëve dhe shkollave si dhe afrimit të vendit me Bashkimin Europian. Edi Rama foli gjatë mbi axhendën e tij politike. Retorika nuk ka asnjë vlerë, rëndësi ka puna dhe përkushtimi të cilat Partia Demokratike i ka vendosur pa kursim në shërbim të gjithë Shqiptarëve”, deklaroi më tej, Bogdani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›