E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova një vend i zakonshëm

29/01/2005  

Kuvendi i Kosovës mbajti mbledhjen e parë ‘normale’ në mandatin e ri dhe miratoi në parim, në leximin e parë, një varg ligjesh që rregullojnë lami të ndryshme të jetës dhe të punës në Kosovë. – Votimi në disa raste ishte unanim pa ndamje pozitë-opozitë. – Edhe fjalimi i Kryetarit të Kosovës për gjendjen e përgjithshme në vend në fund kaloi me nga një kafe për gjithë deputetët.

Ramush TAHIRI

Është kënaqësi për secilin vend e për Kosovën veçanërisht, kur puna institucionale, prej Presidentit të vendit, Qeverisë e deri te Kuvendi i Kosovës i kthehet normalitetit veprues, aq të nevojshëm për vendet në tranzicion e sidomos për vendet që kanë dalë nga lufta.

Mbledhja e djeshme e Kuvendit të Kosovës me njëzet pika në rendin e ditës, dhe me fjalimin apo raportin vjetor të Kryetarit të Kosovës dhe me zgjedhjen e një anëtari të ri të Qeverisë së Kosovës nga radhët e minoritetit serb, ishte një mbledhje plenare, të cilës do t’i kishin lakmi edhe vendet e zhvillueme demokratike. Ethet e lindjes, duket se në Kosovë u kaluen shpejtë e pa vrragë, koalicioni qeverisës ndërmjet partive të ndryshme, me një opozitë të fortë, po funksionon si duhet, me përgjegjësitë e veçanta që i ka secili, me një vrojtim dhe korrektim shumë të mirë të partive opozitare dhe me një transparencë lakmuese dhe me një respektim solid të procedurave prej koalicionit qeverisës që punon me një politikë afruese e jo refuzuese për opozitën. E mira është se tash kanë nisë me u dallue interesat partiake dhe interesat kombëtare e shtetnore të Kosovës dhe kjo u pa kur u votue për Projektligjin për të Drejtat e Pjesëtarëve të Luftës së UÇK-s të familjeve të Dëshmorëve dhe Viktimave Civile të Luftës kur krejt deputetët ishin me një za përveç njanit që votoi kundër e tjetrit që abstenoi.

Është interesant reagimi i subjektit politik ORA, që ishte befasia kosovare në zgjedhjet parlamentare, të cilët si grup e lëshuen mbledhjen plenare, me arsyetimin se nuk u mor për bazë propozimi i tyre që Projektligjet që vijnë për shqyrtim në Kuvend ta kenë edhe kalkulimin buxhetor. Këta nuk kishin vota të mjaftueshme, që është krejt normale për opozitën, me e shtye nëpërmjet votimit propozimin e tyne, por ishin të mjaftueshëm, që e lejon Rregullorja e Punës, me marrë vendim dhe me e lëshue mbledhjen... Si është e zakonshme e vërteta i ka edhe në këtë rast dy anë. Projektligjet duhet t’i kenë parasyshë implikimet buxhetore, se prej kësaj varet edhe shkalla e zbatushmënisë së tyre në jetë, por edhe ligji tek kur e ka formën përfundimtare mundet me u ditë kalkulimi financiar e kjo bëhet në leximin e dytë e jo në të parin si ishte rasti. Mandej planifikimi buxhetor për vitin vijues i ka lëvizjet e veta, në varshmëni prej politikave ekonomike dhe prej spektrit të ligjeve që mirarohen në Kuvendin e Kosovës, se me disa ligje të reja shtohet buxheti, dhe të ardhunat kur ato të zbatohen.

Dilemat procedurale e shpjeguese që si dallime janë normale edhe në demokracitë e vjetra u panë edhe te fjala e Kryetarit të Kosovës në Kuvend. Kishte mendime se ai është raport dhe për të duhet me u hapë debat e në këtë vijë ndoshta edhe duhet me u votue e miratue, kishte mendime se ai është fjalim vjetor i Presidentit ku i shprehë qëndrimet e orientimet e instituicionit që drejton dhe për këtë nuk bëhet debat. Në Kornizën Kushtetuese të Kosovës, të cilën tash disa nuk po e pranojnë, ani që prej fillimit janë tue punue me te, edhe bile i kanë mbajtë vendet udhëheqëse, në përshkrimin e detyrave të Kryetarit të Kosovës, thuhet ‘Të paktën njëherë në vjet ia paraqet një raport Kuvendit të Kosovës, mbi gjendjen e përgjithshme në Kosovë’. Shpjegimet dhe interpretimet e kësaj mund të jenë të ndryshme, edhe me tentativat qesharake që me një dokument më të vogël si është Rregullorja e Punës, të shpjegohet e korrektohet ma i madhi, në këtë rast Korniza Kushtetuese, e të thuhet se për raport duhet të hapet debat dhe të miratohet. Ma merr mendja se i ban nder vet Kosovës dhe institucioneve të saja që raporti i Presidentit, të merret në konsideratë për planifikim e veprim nga gjitha institucionet, se ky nuk është raport për punën e Presidentit para Kuvendit që e ka zgjedhë e i cili mund ta thërras edhe në interpelancë edhe të kërkojë ndonjë përgjigje me gojë apo me shkrim, por është një raport përmbajtësor programatik për gjendjen e përgjithëshme në Kosovë, në të cilin shprehen pikëpamjet e institucionit të Kryetarit të Kosovës, i cili aniqë përfaqëson unitetin e popullit nuk është e thanë, që të shprehë pikëpamje identik me qëndrimet e ndonjë partie opozitare... Kosova shpeshherë duhet t’i ndjekë praktikat pozitive nga historia dhe të vendeve të tjera, të pranojë realitetet edhe të forcës vepruese e institucionale, por të ketë në dijeni edhe mendimin e qëndrimin e ndryshëm ndonjëherë edhe të kundërt të dikujt nga spektri i shumtë politik i Kosovës.

Ditët që vijnë janë vendimtare për fatin e Kosovës. Kjo për faktin se Gjykata e Hagës do të ngrisë aktakuzat edhe për ndonjenin nga qytetarët e Kosovës. Këtë Haga e ka thënë vetë, pa përmend emnat, ndërsa për Kroaci, Maqedoni e Serbi në një formë apo tjetër disa prej emnave janë ba publike. Kujnado që i mshon Haga në Kosovë, ke ai udhëheqës politik apo shtetnor, në mënyrën ma të keqe do ta destabilizonte gjendjen. Është bindje e thellë në Kosovë, se Haga tash po e luen lojën politike, në kohën kur po sosen mjetet dhe kur është në përfundim mandati i saj, e kur shumë pak ka ba me i dënue politikën gjenocidiste kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve, me mijëra prej të cilëve edhe sot nuk u dihen ku i kanë eshnat. Ky qëndrim i Hagës, mendoj unë, nuk i ndihmon asaj që këto krime makabre të mos përsëriten në të ardhmen në këto hapësira dhe në këto përmasa. Në Hagë nuk u dënue ideologjia, nuk u dënue regjimi që i bani krejt këto të zeza. Haga i dënoi individët. Haga dramën kolektive e shëndrroi në dramë individuale...

Qeveria e Kosovës dhe krejt Kosova në këta muej shënoi një përparim tue pasë një entuziazëm dhe një përkushtim shumë të madh, që së bashku me miqtë ndërkombëtarë të punojë për të mirën e krejt qytetarëve pa dallim dhe për paqen e prosperitetin në rajon.

Mbledhja e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës me Grupin e Kontaktit në Prishtinë me 2 shkurt 2005, është shumë e pritun për veftësimet pozitive që do t’i jap politikës së zbatimit të standardeve dhe punës së institucioneve kosovare të daluna prej zgjedhjeve. Kjo është shumë e randësishme për vullnetin dhe shpresën e popullit të Kosovës.

Duket sikurse një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, ashtu si edhe pjesa dërmuese e kosovarëve, janë të turpnuem për ngjarjet e marsit 2004. Me dallim që një segment duket se tash don me i dhanë mend dhe veprim shembullor Kosovës dhe popullit të saj, diçka si dënim të vonuem për këto ngjarje.

Apelet e miqve të Kosovës, si ai i Viliam Vokerit, që mos me na i këputë ëndrrat e shpresat, nuk dihet a do të shkojnë në veshin e zemrën e duhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›