E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit: Liberalizoni lejet e ndërtimit

29/01/2005  

Shoqata e ndërtuesëve kërkon krijimin e dy hapësirave urbane brenda tre muajve nga Bashkia e Tiranës

Dulaku: Nëse s'merren parasysh kërkesat, do të pezullojmë punën e do të nisim protestat

Firmat e ndërtimit kanë mbetur pa punë, ndërsa qytetarët nuk mund të blejnë dot shtëpi, se çmimi i tyre rritet çdo ditë. Sipërfaqja e dhënë për ndërtim nga Bashkia e Tiranës gjatë vitit 2004 ka qenë 4 herë më pak se ajo e dhënë gjatë vitit 2003. Numri i lejeve të ndërtimit çdo vit ka ardhur duke u ulur. Për këtë arsye, ndërtuesit të organizuar nga shoqata e tyre kanë rreshtuar disa kërkesa dhe nëse nuk merren masa për plotësimin e tyre, ata do të përdorin të gjitha mjetet, deri në protestë para institucioneve. "Nëse ka përgjigje negative, Shoqata e Ndërtuesëve do të përdorë të gjitha mjetet për plotësimin e tyre, nga pezullimi i punës deri në protesta para institucioneve përgjegjëse", deklaroi kryetari i Shoqatës së Ndërtuesëve, Artan Dulaku.

Në raportin e përgatitur nga Shoqata e Ndërtuesëve thuhet se është fakt se dhe firmat që nuk kanë fronte pune ankohen se nuk i përdorin plotësisht kapacitetet që kanë, pa përfshirë këtu dhe dhjetëra firma të vogla dhe të mesme në Tiranë dhe sidomos në rrethe që punojnë 2 deri 3 muaj në vit, ose tjetra që presin 2 deri 3 vjet sa të merren vesh me pronarët e tokës e deri në nxjerrjen e lejes së ndërtimit. Këtë e tregon më së miri alarmi që dha Guvernatori i Bankës për pakësimin drastik të ljeve të ndërtimit gjatë vitit 2004 dhe sidomos gjatë 6-mujorit të dytë të vitit të kaluar. Por, nuk është e drejtë që, ndërsa tregu ka ende uri për shtëpi, ndërtuesit të rrinë duarkryq.

Dy zonat

Ndërtuesit kërkojnë që Bashkia e Tiranës, me mbështetje të qeverisë, të japë 2 zona të reja, në mënyrë që të ndërtohet derisa të mbarojë studimi urbanistik i zhvillimit të Tiranës. Sipas ndërtuesëve, Bashkia i ka këto mundësi. Ata kërkojnë që këto dy zona të jepen brenda tre muajve të parë të këtij viti.

Dy zona të reja urbane

Ata kërkojnë që në këto zona të bëhen ndërtime të larta, në mënyrë që çmimi të ulet dhe të mos mbetet vetëm tregu i shtëpive brenda unazës.

Ndërtuesit thonë se për të ndërtuar një shkollë, po të ecim sipas hapave të zhvillimit ekonomik, do të duhen 10 deri 15 vjet. Vendi ka nevojë për shkolla, spitale, hidrocentrale, rrugë, autostrada, ujësjellësa, kanalizime. "Cilado qeveri, cilado forcë politike që aspiron të fitojë pushtetin, duhet të përgatisë seriozisht këtë bum të madh ndërtimesh, duke siguruar projektet për financim", deklaroi Shkëlqim Bumçi.

Studimet e qendrave të pabëra

KRRTRSH gjatë vitit të kaluar është mbldhur shpesh për t'i dhënë rrugë miratimit të projekteve dhe studimeve, por e keqja është se afatet që ajo ka vënë për përfundimin e studimeve të qendrave të qyteteve janë shkelur pothuajse në shumicën e tyre. Zv. kryeministri Namik Dokle në analizën e Minsitrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit tha se deri në fund të vitit 2004 ishin prokuruar vetëm 47 për qind e fondeve të dhëna për studimin e qendrave kryesore. Një shembull konkret i zvarritjeve pa fund është ish-Uzina Mekanike.

Gjobat e tatimorëve

Së bashku me specialistët e tatimeve, ndërtimorët kanë nënshkruar një marrëveshje për të eliminuar presionet arbitrare të tatimeve, për të luftuar evazionin fiskal dhe konkurrencën e pandershme. Por, pavarësisht nga marrëveshja, një pjesë e tatimorëve kanë nisur të bëjnë presion për të vënë gjoba. Dy palët kanë rënë dakord që të bëjnë një pagesë paradhënie dhe pjesa tjetër të bëhet kur të shitet gjithë sipërfaqja pas përfundimit të objektit, kolaudimit dhe hipotekimit.

Legalizimi dhe amendimi

Vitin e kaluar për shkak të presionit të bërë nga Shoqata e Ndërtuesëve u miratua ligji për legalizimin e shtesave, por ky ligj nuk gjen zbatim dhe nuk do të gjejë derisa të thjeshtohen disa kërkesa, qoftë dhe duke amenduar këtë ligj, pasi në të kundërt procesi i legalizimit do të mbetet në vend, duke sjellë dhe pasoja negative. Ndërkohë shoqata ka përgatitur projektligjin për të amenduar ligjin e prokurorimit, kategorizimin e firmave të ndërtimit dhe licensimit, po kështu dhe për hartimin e ligjit të Urbanistikës. Të dyja këto ligje duhet të miratohen brenda këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›