E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizioni gjysmak i disa ministrive

29/01/2005  

Ministria e Arsimit, pavarësisht partisë që ka qenë apo është në pushtet, në një moment të caktuar, është një institucion në vijueshmëri dhe ky institucion, si gjithë institucionet e tjera, duhet të ketë një projekt afatgjatë, në të cilin të mishërohen më së miri, apo sa më pranë të mirës së mundshme, interesat dhe nevojat e këtij sektori që është një dhe i vetëm për gjithë qytetarët e vendit. Le të citojmë fillimisht një fragment nga fjala e Kryeministrit gjatë analizës vjetore për t’i sqaruar pastaj më me hollësi gjërat:

“Eshtë absurde gjendja e teksteve aktuale të lëndëve, veçanërisht në shkollat e mesme të përgjithshme, që nuk marrin në konsideratë shkallën e njohurive të vitit paraardhës, japin njohuri të vjetëruara, shpeshherë të pavlefshme, u mungon lidhja logjike midis kapitujve, ose janë shkruar e përkthyer me gjuhë të pakuptueshme për moshën dhe formimin e nxënësve dhe të kontestueshme nga vetë mësuesit. Përballë fluksit në rritje të ankesave të përsëritura të nxënësve dhe mësuesve, nuk mund të vazhdohet të ngrihen supet, por duhet të përcaktohen standarde bashkëkohore dhe afate të qarta për zbatimin e tyre. Tekstet nuk mund të vazhdojnë të bëhen me tendera apo përzgjedhje miqsh nga autorë anonimë apo punonjës të administratës, por nga mësuesit më me përvojë dhe katedrat e universiteteve duhet të drejtojnë punën shkencore për përgatitjen e teksteve sipas kurrikulash të harmonizuara”.

Në këtë qartësi që është prekur kjo çështje mund të shtohej edhe ndonjë fjalë për shembull për ato tekste që nuk janë rinovuar fare, por punohet ende me botime të realizmit socialist. Vetëm pak ditë më parë, një njeriu im, që studion me korrespondencë m’u lut t’i gjeja një Histori të Letërsisë Shqiptare, botim i vitit ‘82. Ky ishte teksti më i mirë i mundshëm në treg i rekomanduar nga Universiteti i Tiranës. Edhe sikur të mos ketë asgjë për socializmin (në fakt ka, dhe bibliografia fillon me Marksin e Leninin), ky libër që përfshin letërsinë shqiptare deri në vitin 1939, rrethanat në të cilat është shkruar duhet të merreshin parasysh dhe të ishte punuar për një tekst të ri, asokohe autorët nuk kanë qenë të lirë të bënin interpretime serioze të letërsisë të parë si letërsi dhe jo në funksion të ideologjive. Ky është një shembull, mund të ketë edhe të tjerë, dhe që nuk ka një tekst tjetër faji duhet të ndahet mbi gjithë ministrat e Kulturës të pas ‘90-ës.

Menjëherë pas rënies së diktaturës, Ministria e Arsimit duhet të kishte caktuar prioritetet e saj dhe jo për një vit. Duhet të kishte parashikuar se cila do të ishte fytyra e teksteve shkollore pas dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh, duhet të kishte caktuar fondet (mund të kishte lënë diçka tjetër mangut), të kishte ftuar profesionistët, qoftë me zgjedhje, qoftë me konkurse, dhe sot ato tekste duhet të ishin në dorë të nxënësve dhe studentëve. Tekstet që janë sot në qarkullim, “që japin njohuri të vjetëruara, shpeshherë të pavlefshme, u mungon lidhja logjike midis kapitujve, ose janë shkruar e përkthyer me gjuhë të pakuptueshme për moshën dhe formimin e nxënësve dhe të kontestueshme nga vetë mësuesit”, janë tekste të bërë në shpejtësi e sipër se nuk mund të vazhdohej me tekstet e diktaturës, dhe ishin një domosdoshmëri e që sot duhet të kishte dalë jashtë loje, pra, duhet të ishte konsideruar si plan afatshkurtër. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë duhet të ishte konkretizuar, nëse do të kishte patur ndonjëherë, edhe plani afatgjatë që Ministria e Arsimit duhet të kishte patur, pastaj çdo gjë do të përmirësohej me nevojat e kohës, por baza themelore do të ekzistonte.

E njëjta gjë ndodh edhe me Ministrinë e Kulturës dhe Sporteve që Kryeministri nuk e evidentoi si problematike. Që një futbollist të paguhet me 200 mijë lekë të vjetra, gati sa një kamarier, është një turp që qeveritë tona nuk duhet ta gëlltitin lehtë. Rasti i Kreshnik Qatos, boksierit durrsak, që shkoi me para borxh në ndeshjen ku fitoi titullin kampion i Evropës dhe që nuk pranon të luajë për Britaninë e Madhe, që dashurinë për flamurin shqiptar nuk ia tundojnë as stërlinat, është unikal, ndërsa indiferenca e shtetit gargantuane. E po kështu peshëngritësit e vegjël, që kanë marrë medalje, i “luten” shtetit të tyre veç nga dashuria, pa ata e dinë që ka vende të tjera, të cilat mund t’i lajnë me ar. Pra, pas pesëmbëdhjetë vjetësh, shteti shqiptar është sërish aty ku u nis, i papërgatitur të ruajë talentet. Dhe kështu, problemet në x apo y ministri nuk duhen parë si probleme të izoluara dhe nuk duhet të përcillen vetëm me vërejtje, por duhen tronditur nga themelet, pse ato nuk mbruhet paaftësia e individëve të caktuar, por vizioni gjysmak e gjithë shoqërisë, ndërkohë që ekzistojnë mundësitë për të bërë të kundërtën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›