E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kosova nuk do të përdorë zgjidhje policore për veriun”

 

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Zenun Pajaziti ka deklaruar se me gjithë mosmarrëveshjet, protestat, pengesat e serbëve për infrastrukturën dhe decentralizimin, autoritetet në Kosovë nuk kanë asnjë synim të përdorin një zgjidhje policore për veriun problematik. Në një deklaratë për BBC-në, ai tha se zyrtarët në Kosovë po përcjellin mesazhe të bashkëjetesës në veri dhe se “masat policore janë të fundit për të penguar keqbërësit që duan ta mbajnë gjendjen pezull në këtë pjesë të Kosovës”. Një ditë më parë serbët në veri të Kosovës nisën protesta të forta kundër ndërtimit të shtëpive për shqiptarët në fshatrat e populluar me shumicë serbe brenda territorit të Kosovës. Policia e EULEX-it u detyrua të përdorë të shtunën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit serbë, të cilët synonim të pengonin procesin e rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut”, në veri të qytetit të Mitrovicës. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Besim Hoti, tha se veprimi i koordinuar i policisë kosovare dhe asaj evropiane u bë për të parandaluar përplasjen mes protestuesve serbë dhe punëtorëve që po rindërtonin shtëpitë e shqiptarëve. Sipas tij, situata është vënë nën kontroll shumë shpejt dhe punimet kanë vazhduar pa probleme. Megjithatë zona e shtëpive të shqiptarëve dhe të atyre të serbëve janë të ndara nga kordonët e policisë, që ndalojnë kalimin nga njëra zonë në tjetrën të qytetarëve, të etnive të ndryshme, për të evituar përballje të dhunshme. Shtëpitë e banorëve shqiptarë ishin shkatërruar që nga përfundimi i luftës. Veç kësaj, serbët po bojkotojnë të gjitha bashkëpunimet me institucionet e Kosovës. Pjesa më e madhe e pjesëtarëve serbë të policisë së Kosovës, janë larguar nga vendet e tyre të punës që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës, ndërkaq u ka dhënë një afat deri më 30 qershor që të vendosin nëse duan të kthehen në vendet e tyre të punës. Ministri Pajaziti tha se ka filluar një proces i komunikimit me policët serbë dhe se afati i përcaktuar do t’u mundësojë atyre të vendosin për të ardhmen. Ai shprehu besimin e tij se një numër i madh i tyre do të kthehet në vendet e punës. Zoti Pajaziti tha se duhet të shfrytëzohet prania e misionit evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, për kthimin e policëve serbë në institucionet e Kosovës dhe për të ndaluar një manipulim, siç e cilësoi, të rrezikshëm të tyre nga strukturat jashtë vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›