E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polovina tregon të fshehtat e një arrestimi

 

Nuk e ka nëntitulluar më kot: “Një jetë para dhe pas vitit 1990”. Ngjarjet marrin udhë në fundvitin 2003, për t’u futur thellë në kohë, në vitet e regjimit komunist. “Ndarje me të shkuarën” titullohet libri i fundit i Ylli Polovinës, i cili këtë herë ka marrë përsipër të “zbardhë” njëkohësisht dy nyje tepër të rëndësishme në historinë e para dhe pas ’90-ës. E para është ajo e botimit në shtypin italian të shkrimit “Padrinoja shqiptar” dhe të gjitha arsyet që çuan në të. Ndërsa tjetra, që zbulohet pikërisht nga nyja e parë është çështja e kontrabandës së cigareve, që Shqipëria ka zhvilluar gjatë viteve të diktaturës. Përmes historisë së një ish/zv.ministri të kohës së diktaturës (Hysen Shahu), i cili arrestohet nga drejtësia italiane, pasi emri i tij lakohej si bashkëpunëtor me klanet mafioze italiane, tregohet i gjithë mekanizmi i kësaj veprimtarie legalo-ilegale. Në qendër të librit, i cili është një ndërthurje mes fiksonit dhe historisë, është arrestimi dhe burgosja nga një prokurore e Drejtorisë së Antimafies së Napolit të ish-zëvendësministrit shqiptar të Punëve të Brendshme të periudhës së regjimit komunist, i cili mbulonte në rastet e mungesës së ministrit, edhe zbulimin, në vitet ’82-‘89. Ai është dëshmitar i shumë ngjarjeve kyçe të fundit të diktaturës dhe i pranishëm edhe në të fshehtat e marrëdhënieve mes Romës dhe Tiranës. Libri “Ndarje me të shkuarën” nis me arrestimin e tij në aeroportin e Bolonjës dhe mbyllet në fund të janarit të vitit 2005, me pafajësinë e tij, pas katërmbëdhjetë muajsh burgimi në qelitë e katër burgjeve italiane. Autori preferon të mos tregojë në mënyrë lineare, por të gërshetojë kohët. Ndërsa tregon për të tashmen, i kthehet së kaluarës, duke treguar për kohët, kur zv/ministri kryente detyrën e tij dhe ishte pranë njerëzve më të pushtetshëm të kohës, që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, etj., për të ardhur në rënien e sistemit, dënimit me burg të ish-funksionarëve të Partisë së Punës për gjenocid.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›