Kosova nuk ka vënë embargo ndaj Serbisë

(E plotësuar) “Kosova nuk ka vënë embargo ndaj askujt. Kjo është me rëndësi të thuhet”. Ky ka qenë reagimi i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, ndaj pyetjes së një gazetari serb në konferencën për media të premten kur gazetari i është referuar masës së reciprocitetit ndaj Serbisë si “embargo”. Kuçi ka thënë se Kosova nuk ka vënë embargo, por ka marrë masën e ashtuquajtur “masë ligjore e lejuar”.
Kjo masë, siç ka thënë Kuçi, nënkupton masën e njëjtë që Serbia ka marrë para tre vjetësh e gjysmë.
“Ne kemi kërkuar dhe po kërkojmë, në emër të Republikës së Kosovës po them, po kërkojmë reciprocitet dhe trajtim të barabartë. Ne nuk jemi ata që kërkojmë autarki, apo bllokim të ekonomisë së lirë të tregut. Përkundrazi. Nëse qeveria e Serbisë merr masa dhe vendim që t’i njoh vulat e Doganave të Republikës së Kosovës, ta lejojë qarkullimin e mallrave të Republikës së Kosovës, brenda këtij minuti Qeveria e Republikës së Kosovës do ta marr të njëjtën masë”, ka thënë Kuçi, transmeton KosovaPress.
Ai ka theksuar se Republika e Kosovës ka qenë e detyruar ta marr një veprim të tillë, duke vënë masë të reciprocitetin me Serbinë, por kjo sipas tij, nuk është masë kundër askujt, e aq më pak kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë, por është masë e identitetit dhe forcimit shtetëror.
Sa i përket mundësisë së njohjes së shpejt të Republikës së Kosovës nga ndonjë vend, duke pasur parasysh se së shpejti do të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Kuçi nuk ka dhënë emra dhe afate, por shprehur besimin se do të ketë njohje së shpejti.
“Ne jemi duke punuar shumë në këtë drejtim, jemi duke punuar drejtpërdrejt, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk mund të japim emra dhe afate, por besojmë se do të ndodhë”, ka thënë ai.
Sipas tij, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të ketë një delegacion të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës që do të marr pjesë aktivisht në punën dhe mundësinë që lejohen brenda Asamblesë së Përgjithshme, qoftë me qasje në punën e asamblesë, qoftë me kontakte bilaterale me përfaqësuesit e shteteve.
Produktet serbe mund të hyjnë nga Serbia e Mali i Zi?
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës duket se nuk ka ide se si do të veprojë nëse produktet serbe do të shfrytëzojnë rrugët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, si dhe dokumentacionin e këtyre dy vendeve, për të hyrë në Kosovë.
“Do të presim dhe të shohim nëse do të ketë ndonjë fluks të hyrjeve të prodhimeve serbe nga vendkalimet maqedonase apo nga Mali i Zi”, ka thënë ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, gjatë një konference për gazetarë.