Nis fushata kundër përdorimit të armëve në dasma
Me moton “S`ka gëzim as mahi me allti, mos gjuaj”, policia e Kosovës ka nisur fushatën kundër përdorimit të armëve të zjarrit në ahengjet familjare.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës që nga fillimi i implementimit të fushatës së përgjithshme kundër përdorimit të armëve, janë shënuar 44 raste të konfiskimit të armëve të kalibrave të ndryshëm.
Xhevdet Mavraj, drejtor për Planifikime operative në PK, të premten gjatë një konference për medie, se deri më tani, në 44 raste janë konfiskuar armë të ndryshme. Në rajonin e Prizrenit janë konfiskuar 21 armë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka ka thënë se kjo fushatë do të përcillet me bastisje edhe me kontrollime, krejt kjo sipas tij me qëllim të ruajtjes së jetës së qytetarëve.
“Motoja e fushatës “S`ka gëzim as mahi me allti, mos gjuaj”, do të përcillet edhe me plane konkrete policore, do të përcillet edhe me bastisje, edhe me kontroll, edhe me ndalesë të kolonës së dasmorëve, sikurse e kërkon nevoja operative, e në radhë të parë kjo bëhet për ruajtjen e jetës së qytetarëve të Kosovës”, potencoi Beka.
Projekti për konfiskimin e armëve nëpër dasma po bëhet nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me organizatën “Save the World”, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve që të festohet pa armë.
Si pasojë e përdorimit të armëve nëpër ahengje viteve të kaluara kanë pësuar shumë persona, ndërkaq Policia e Kosovës bënë të ditur që pas lansimit të kësaj fushate, numri i aksidenteve me armë zjarri nëpër dasma ka shënuar rënie.