E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çitaku: Janë plotësuar kushtet për marrjen e udhërrëfyesit

Nga Express më 22 korrik 2011 në ora 16:50

Ministria e Integrimit Evropian, të premten ka organizuar takimin e tretë me radhë të nivelit më të lartë politik me kryetarët e komunave mbi obligimet e komunave në implementimin e kornizës ligjore dhe strategjike për ri-integrimin e shtetasve të riatdhesuar.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të përmbushin të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i riatdhesimit dhe ka shprehur besimin e tij se Kosova do të vlerësohet pozitivisht nga Komisioni Evropian në përmbushjen e kritereve për integrim.

“Ne besojmë se një vlerësim pozitiv nga ky mision, do të mundësonte fillimin e këtij procesi unifikues dhe shumë të rëndësishëm, për jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Sidoqoftë, në mënyrë që ky mision të dal me vlerësim pozitiv për implementimin e obligimeve në procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar, duhet intensifikuar angazhimin e përgjithshëm të institucioneve shtetërore, po në veçanti dinamizmin e zhvillimit në nivel komunal”, ka thënë Thaçi.

Andaj, kryeministri Thaçi u bëri thirrje kryetarëve të komunave që ata dhe i tërë stafi i tyre relevant të jenë të përgatitur profesionalisht, si dhe të jenë të gatshëm të ofrojnë të gjithë informatat e kërkuara në fusha tashmë të njohura që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve publike.

Kjo pasi që sipas tij është e domosdoshme që të sigurohet një vlerësim sa më pozitiv nga KE-ja, i cili do të jetë kyç në vendimin e BE-së në lidhje me fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Kjartan Bjornson përsëriti qëndrimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

“Përkushtimi ynë është i qartë dhe kjo është komunikuar disa herë, në veçanti edhe nga kryetari i Komisionit, Baroso. Ai ka thënë se Komisioni Evropian e vlerëson, se korniza legjislative do të jetë gati atëherë Komisioni do të propozojë që do të vazhdojmë më tutje që nënkupton hapjen e dialogut për vizat”, ka thënë Bjornson.

Ndërsa, ministrja e Integrimit Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se janë plotësuar kushtet për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave e më pas, pas marrjes së udhërrëfyesit është momenti i liberalizimit.

“Ne jemi munduar ta themi qartë se bëhet fjalë për dy momente të ndara, sepse shpeshherë është fol për 12, 14 dhe 15 muaj. Momenti i parë është marrja e udhërrëfyesit dhe edhe për të marrë udhërrëfyesin ka kritere. Ne i kemi plotësuar kushtet për marrjen e udhërrëfyesin për liberalizim të vizave e më pas, pas marrjes së udhërrëfyesit është momenti i dytë liberalizimi dhe unë jam e bindur se pas marrjes së udhërrëfyesit nëse punohet me këtë dinamikë në një afat rekord, do t’i plotësojmë kushtet për liberalizim të vizave”, ka thënë Çitaku.

Ndërsa, ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi theksoi se sa i përket liberalizimit, vendi ynë ende nuk i ka plotësuar kushtet.

Rexhepi: Për liberalizim ende nuk i kemi plotësuar kushtet

“Për liberalizim, ende nuk i kemi plotësuar kushtet. Shpeshherë po përzihet dialogu ose udhërrëfyesi me liberalizim. Udhërrëfyesi është marrëdhënie kontraktuale dhe dialogu fillon, kushte shtesë ne duhet me i plotësuar, janë katër fusha, të cilat duhet me i plotësuar krejt. Jemi në rrugën e mirë, në shumë fusha kemi mbërri një progres të konsiderueshëm me udhërrëfyesin vetanak, por të gjitha kushtet për liberalizim nuk i kemi plotësuar”, ka thënë Rexhepi.

Ministri Rexhepi ka sqaruar para medieve se më 4 gusht do të fillojë prodhimi i pasaportave biometrike, kurse lëshimi i tyre do të fillojë në tetor.

Nga ana e tyre, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, ai i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, dhe ai i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, kanë dhanë një pasqyrë të shkurtër të progresit të arritur deri më tani në përmbushjen e obligimeve të komunave të tyre që dalin nga ky proces, si dhe të nevojave e sfidave me të cilat përballen. Ata gjithashtu theksuan se do të sigurojnë kryerjen me sukses të obligimeve të tyre gjatë vizitave vlerësuese të KE-së, krahas kryerjes së obligimeve të zakonshme ndaj institucioneve të nivelit qendror.

Në muajin shtator në Kosovë pritet të mbërrijë një ekip i ekspertëve nga Komisioni Evropian, i cili do të vlerësojë përparimet e bëra për përmbushjen e kritereve në procesin e liberalizimit të vizave. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›