OVL e pakënaqur me projektligjin për vlerat e luftës
Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nëpërmes një komunikate shtypi, ka shprehur pakënaqësinë në lidhje me përmbajtjen e projektligjit të vlerave të luftës që sot u procedua në Kuvend nga Qeveria e Kosovës.
"Projektligji që është proceduar sot, nuk është ai në të cilin disa vite me radhë është punuar nga Organizatat e Luftës së UÇK-së dhe komisioni qeveritar", thueht në komunikatën shpërndarë medieve.
"Në bazë të këtij projektligji që sot është proceduar në Kuvend nga ana e Qeverisë, të drejtat e veteranëve të luftës nuk janë përfshirë fare, me arsyetim se për ta do të bëhet nje ligj i veçantë. Gjithashtu janë të përjashtuar dëshmorët e kombit që kanë rënë para vitit 1998, heronjtë Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Luan Haradinaj, Adrian Krasniqi e të tjerë".
"Nuk ka të drejtë asnjë qeveri, kushdo që të jetë, t’i ndajë veteranët nga bashkëluftëtarët e tyre invalidë dhe dëshmorë të kombit", shprehen drejtuesit e OVL-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të informoj me kohë bashkëluftëtarët dhe opinionin e gjerë, rreth masave që do të merren në kundërshtim "të padrejtësisë së radhës që po bëhet ndaj veteranëve".