Kosova nuk merr pjesë në evropianin e Beogradit

Përfaqësuesja e Kosovës në pingpong nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të këtij sporti që do të zhvillohet në kryeqytetin serb, Beograd, prej datës 25 mars deri më 1 prill. Federata Evropiane e Pingpongut (ETTU) është përkulur përballë presioneve të Serbisë, qeveria e së cilës ka kërkuar që sportistët kosovarë të paraqiten me emrin "Kosovo - Republika Srbija".
Edhe presidenti i Federatës Evropiane të Pingpongut, italiani Stefano Bosi ka njoftuar se mënyra e vetme që pingpongistët kosovarë të marrin pjesë në evropianin që do të zhvillohet ne kryeqytetin serb është që të pranojnë kushtin e vënë nga federate serbe e pingpongut dhe qeveria serbe.
Siguriisht që një kërkesë e tillë është absolutisht e papranueshme për Federatën e Pingpongut të Kosovës, që është anëtare me të drejta të plota në federatën botërore dhe atë evropiane të këtij sporti.
"Ne qe katër vite jemi anëtarë të Federatës Botërore të Pingpongut. Kemi marrë pjesë në shumicën e aktiviteteve të organizuara në pesë kontinente dhe gjithmonë jemi prezentuar si Kosovë", ka thënë përzgjedhësi i përfaqëseueses së Kosovës, Nehat Citaku, i cili ka treguar edhe rastin kur sportistët kosovarë janë përballur me ata serbë në Kampionatin Evropian të vitit 2005 të zhvilluar në Danimarkë.
"Në atë kampionat ne kemi qenë të prezantuar me flamurin tonë", ka shtuar ai.
Në evropianin e Beogradit Kosova është dashur që të bëjë gara në Grupin A të divizionit të tretë bashkë me Ukrainën, Bosnën e Hercegovinën dhe Lituaninë.