E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret ‘rrafshojnë’ Australinë, mbi 100 njerëz vdesin nga djegia

 

Më shumë se 100 njerëz kanë humbur jetën nga zjarret e furishme në Australi, të cilat kanë nisur në zonat pyjore e me shkurre duke u përhapur me shpejtësi të territore të gjera, për shkak të temperaturave të larta mbi 46 gradë Celsius. Ky është konsideruar shkatërrimi më vdekjeprurës natyror në historinë e Australisë. Zjarret vazhdojnë të shkaktojnë dëme dhe viktima në të gjithë shtetin, me gjithë përpjekjet e skuadrave të shpëtimit për të mbajtur gjallë sa më shumë njerëz të prekur nga flakët. Në rajonin Kinglake, pranë Melburnit, që mbetet zona më e prekur nga fatkeqësia natyrore, janë rrafshuar më shumë se 550 shtëpi. Ndërsa në qytete si Marisvill, janë djegur deri në themele mbi 750 shtëpia, shifra të konfirmuara nga autoritetet. Një ndryshim i papritur i kohës, me një ftohje të lehtë, ka ndikuar pozitivisht gjatë pasdites së djeshme për të ndihmuar zjarrfikësit të mbrojnë në mos pyjet, të paktën ndërtesat e qyteteve nga zjarret gjatë orëve të natës. Sipas autoriteteve të vendit, zjarri do të fiket gjatë pak ditëve në vazhdim nëse kushtet klimatike do të jenë të njëjta me ato të djeshmet, pa sjellë rritje tjetër të temperaturës. Përgjegjësi mbi kontrollin e incidenteve, Steven Ualls tha se skuadrat e tij të ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikësve janë të tejlodhur nga beteja me zjarrin që po zgjat prej 10-ditësh. Qindra mijëra hektarë toka janë djegur në pamundësi për të shuar zjarret. Sapo shuhej një vatër zjarri me avionë ujëhedhës dhe bomba uji, shpërthente një tjetër e përhapej me shpejtësi në një zonë të afërt. Deri dje numëroheshin rreth 31 vatra të mëdha zjarri. Kryeministri australian, Kevin Rudd tha se qeveria federale ka vënë dispozicion ushtrinë dhe ndihma të tjera do të afrohen shumë shpejt në këto zona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›