E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Shishtavec: Ne mund ta mundim varfërinë

Në kuadër të turit të tij, "Dialog me
Shqipërinë", lideri socialist, Edi
Rama, ishte të premten në Kukës, ku zhvilloi
takime me banorë të zonave të thella.
Takimi i parë ishte ai në Shishtavec, 35
km në lindje të Kukësit ku, siç u pohua në
takim, jeton një komunitet prej disa fshatrash,
shumë i izoluar nga qendrat urbane
dhe në varfëri të plotë. Kryesocialisti
Rama, së bashku me Pandeli Majkon
dhe drejtues të tjerë të lartë të PS-së,
kërkuan prej banorëve të dëgjonin cila
ishte gjendja realisht, çfarë prisnin nga
politika, çfarë shpresonin. Rama, i cili u
duartrokit nga qindra banorë, u tha atyre
që dialogu me ta nuk synonte të "shiste"
politikën, por të mësonte prej tyre hallet
e përditshme, me të cilat nuk po merret
qeveria aktuale dhe të zgjonte tek ata
shpresën për ndryshim. "Nuk kemi
ardhur t‘ju kërkojmë votat, por kemi
ardhur për t‘ju dëgjuar", tha Rama, duke
shprehur keqardhjen për mungesën totale
të infrastrukturës, ku rreth 8 mijë
banorë nuk kanë një rrugë të asfaltuar për
t‘u lidhur me qendrën e rrethit dhe me
tregun, ku papunësia është pothuajse totale
dhe nga ku të rinjtë ikin në emigracion
dhe nuk kthehen. Rama nënvizoi
faktin se qindra familje të zonës ndodhen
në limitin e mjerimit ekonomik, pasi nuk
stimulohen dhe as mbrohen nga shteti
për prodhimin e patates, kulturë për të
cilën zona është shumë e njohur, mungesën
e perspektivës dhe qartësisë së
qeverisë aktuale. Ai u bëri thirrje banorëve
të bashkohen rreth një politike të
re larg interesave të ngushta thjesht partiake,
për të ndërtuar një shtet që mbështet
familjet, siguron shkollë dhe punë,
dinjitet dhe dëshirë për të jetuar në këtë
vend që, siç nënvizoi ai, nuk i mungojnë
burimet njerëzore dhe natyrore.
"Evropën mund dhe duhet ta ndërtojmë
këtu", tha Rama, duke iu referuar zonave
të bukura dhe të pasura të Kukësit, duke
shtuar se shtetet fqinje nuk kishin pasuri
më të mëdha dhe as kishin djem më punëtorë,
por se "shtetarët e korruptuar dhe
qeveria e paaftë vazhdon të thellojë mjerimin
skandaloz", tha ai. Megjithatë, ai i
drejtoi turmës një dozë të lartë optimizmi,
duke thënë se "ne mund t‘ia dalim të
mundim varfërinë, me bashkimin e energjive
drejt një politike të re", tha kryetari
socialist Rama. Një numër banorësh
që e morën fjalën e cilësuan atë si Kryeministrin
e ardhshëm që do ta rregullojë Shqipërinë
siç kishte bërë me Tiranën si
kryebashkiak. Por pati edhe prej atyre që
e cilësuan edhe Ramën njësoj si të gjithë
politikanët e tjerë që, siç tha një banor,
"bëjnë premtime boshe".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›