E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova rivoton në5 komuna, në mesditëpjesëmarrja 15%

PRISHTINE- Sot në Kosovë rivotohet në komunat Skenderaj, Drenas e Deçan dhe në nga një vendvotim në Lipjan e Malishevë e Mitrovice. Raportohet për një proces të qetë dhe pa incidente. Deri në orën 13.00 pjesëmarrja ka qenë më e ulët në krahasim me zgjedhjet e 12 dhjetorit. Raportohen parregullsi në Skenderaj, Drenas.

ENEMO: PJESEMARRJA ME E ULET E ME PAK PARREGULLSI SE 12 DHJETORI
Ora 13. 40 Deri në orën 13:00 në 5 komunat ku rivotohet pjesëmarrja ka qenë e ulët. Në Decan rreth 11%, në Drenas 14%, Skënderaj 16 %, Malishevë 11 % dhe një qendër votimi në Lipjanë 18 %.
Një përqindje e vogël duke u krahasuar me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Ndërkohë Misioni i vëzhguesve Ndërkombëtar ENEMO raporton parregullsi të vogla në disa qendra të komunës Skënderaj, ku janë vërejtur votimi familjar dhe votuesit kanë votuar pa mjetin e identifikimit. Parregullsi janë vërejtur dhe në komunën e Drenasit.
“Në krahasim me zgjedhjet e 12 dhjetorit janë më të qeta, dhe nuk janë në atë masë sa u vërejtën në zgjedhjet e kaluara”- tha Gazmend Agai në një prononcim për NEWS24, rreth orës 13. 30 minuta. Ai është një ndër përfaqësuesit e Misionit të vëzhguesve Ndërkombëtar ENEMO

KQZ: KOMISIONERET TE RESPEKTOJNE LIGJET
Ora 12. 40 Komisioni Qendror Zgjedhor vlerësoi se deri në orën 12, procesi i rivotimit është zhvilluar qetë dhe se nuk është raportuar ndonjë incident që do të cenonte procesin.
Sipas shifrave të publikuara nga Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka për pjesëmarrjen e votuesve në pesë komunat ku po përsëriten zgjedhjet parlamentare janë: Në Deçan kanë votuar 11.25 për qind; Drenas: 16.49 për qind; Lipjan: 15.70 për qind; Skënderaj: 14.40 për qind dhe në Malishevë: 11.36 për qind.

Daka ka bërë thirrje “të gjithë anëtarët e Këshillave të vendvotimeve të emëruar nga KQZ-ja, dhe vëzhguesit e akredituar, të veprojnë sipas ligjit dhe rregullave të KQZ-së”,

Sa i përket parregullsive të raportuara nga Vetëvendosja dhe PDK në fshatin Kopiliq të Ulët të Skënderajt KQZ tha se vëzhguesit e partive në këtë fshat kanë pasur bexha të 12 dhjetorit dhe në zgjedhjet e sotme janë akredituar vëzhgues të rinj.

LDK: PARREGULLSI NE DRENAS
Ora 13.00 Lidhja Demokratike e Kosovës ka denoncuar parregullsi në qendrat e votimit në fshatrat Terstenik, Polluzhë, Orllat, si dhe në shkollën “Skënderbeu” në Drenas. Përmes një komunikatë për media, kjo parti ka thënë se vëzhguesit e saj janë penguar të vëzhgojnë procesin zgjedhor.LDK bën thirrje që partitë politike të respektojnë kodin zgjedhor dhe kodin e mirësjelljes, ndërsa nga menaxherët e qendrave dhe komisionerët kërkon të sillen konform ligjit dhe detyrimeve qe kanë.

PDK:TENDENCA PER TE PRISHUR PROCESIN NE SKENDERAJ
Ora 12.00 Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se procesi i sotëm zgjedhor në pesë komuna të Kosovës po shkon i qetë. Por, kjo parti ka denoncuar parregullsi në fshatin Kopiliq të Ulët të Skënderajt.

“Në qendrën e votimit në fshatin Kopiliq të komunës së Skënderajt ka pasur një grup të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk janë nga komuna e Skënderajt dhe që kanë tentuar të hyjnë në qendrën e votimit, përkundër rregullave që e ndalojnë një gjë të tillë, ku edhe është tentuar të prishet procesi i votimit”.
Zëdhënësi i PDK-së, Memli Krasniqi i ka quajtur të rreme deklaratat e “Vetëvendosjes” së në këtë qendër votimi vëzhguesit kanë hasur në kuti gjysmë të mbushura, ende pa filluar procesi i votimit.

DV: SHENOHEN DISA PARREGULLSI
Ora 11.00 Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka raportuar se deri në orën 8, janë hapur të gjitha vendvotimet në Skënderaj, Drenas, Deçan, Malishevë e Lipjan. Vëzhguesit e DV-së kanë raportuar se janë mbyllur për 45 minuta dy vendvotime në fshatin Zabel të Ulët të Drenasit, për shkak të pranisë së madhe të vëzhguesve partiakë, të cilët kanë refuzuar t’i lëshojnë vendvotimet.
Ky koalicion ka njoftuar se në Syriganë të Skënderajt, vendbanim i banuar nga komuniteti serb, është duke u votuar në shtëpi private e jo në shkollë.
“Demokracia në Veprim" i ka ftuar subjektet politike që të demonstrojnë përgjegjësi politike dhe të mundësojnë një garë korrekte e demokratike. “Demokracia në Veprim”, kësaj radhe, ka të angazhuar mbi 500 vëzhgues, nga dy për çdo vendvotim, një nga komunat përkatëse dhe një nga komuna të tjera të vendit.

VETEVENDOSJA DENONCON PARREGULLSI NE SKENDERAJ
Ora 10.45 Lëvizja Vetëvendosje ka raportuar për parregullsi në një qendër votimi në komunën e Skënderajt.
Përmes një komunikate për media, kjo lëvizje njofton se “vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të hyjnë në qendrën e votimit 2124b në Kopiliq të Ulët të Skënderajt, me arsyetimin se janë nga komuna të tjera e jo nga ajo e Skënderajt". “Gjatë përpjekjes për të hyrë brenda, vëzhguesit tanë kanë vërejtur se kutitë kanë qenë gjysmë të mbushura, si dhe ka munguar spreji dhe llambat ultra-vjollcë”, thuhet në komunikatë.
“Vetëvendosje” vë në pah se vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të hyjnë brenda nga ana e policisë, të cilët kanë thënë se “nuk bëjnë asgjë pa marrë urdhër nga komisionari kryesor”.
Kjo lëvizje ka raportuar se “disa vetura të militantëve të PDK-së janë endur atypari, duke i kërcënuar vëzhguesit e Vetëvendosjes”.

ENEMO: PJESEMARRJA E ULET
Ora 10. 00 Një ndër përfaqësuesit e Misionit të vëzhguesve Ndërkombëtar ENEMO, Gazmend Agai raportoi sot paradite në NEWS24 për pjesëmarrje të ulët të votuesve në krahasim me zgjedhjet e 12 dhjetorit. Në orët e para të paradites në një nga qendrat e votimit në komunën e Decanít ishin paraqitur 50- 60 votues. Raportohet dhe për disa parregullsi sa i përket votimit familjarisht dhe llampës identifikuese.

Ora 08.00 HAPEN QENDRAT E VOTIMIT
Sot në Kosovë rivotohet në komunat Skenderaj, Drenas e Deçan dhe në nga një vendvotim në Lipjan e Malishevë e Mitrovice. Rivotimi, sipas Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka ardhur si rezultat i dëshmive të dorëzuara nga partitë politike për, siç thuhet, shkelje të mëdha gjatë votimeve të 12 dhjetorit.

KQZ-ja ka konfirmuar se numri i përgjithshëm i votuesve në komunat ku do të përsëriten zgjedhjet, është 133, 221 votues. Janë 62 qendra votimi dhe 185 vendvotime. Qendrat e votimit janë hapur në oren 7.00 te mengjesit dhe do të mbyllen 12 orë më vonë.

Media kosovare raporton sot ne mengjes se rivotimi në pesë komunat është duke rrjedhë normalisht dhe se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit dhe nuk janë shënuar parregullsi.

Edhe vëzhgues ndërkombëtar janë duke e vëzhguar ripërsëritjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që ishin anuluar nga votimi më 12 dhjetor.

100 ekipe të vëzhgimit të zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian do të përcjellin çdo fazë të zgjedhjeve në ditën e votimit, ashtu siç bënë më 12 dhjetor. Këtë herë ekipet do të jenë statike, që do të thotë se ato do të qëndrojnë në një qendër votimi gjatë gjithë ditës. Një ekip do të mbulojë nga një deri në tri vendvotime. Ekipet e vëzhgimit përbëhen nga anëtarë të stafit të ICO/EUSR-së, anëtarë të misioneve diplomatike në Kosovë, si dhe nga diplomatë të vendeve të tjera anëtare të BE-së dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Edhe koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim do të monitorojë procesin e rivotimit me mbi 500 vëzhgues.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›