“Kosova rrezikon, OKB mund të miratojë planin serb”
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka paralajmëruar se rezoluta e Serbisë do të mund të sigurojë votat e mjaftueshme. “Sistemi i votimit në Asamblenë e Përgjithshme është i dizajnuar që çdo rezolutë të kalojë, edhe rezoluta serbe mund të kalojë”, tha Hyseni në Prishtinë pas kthimit nga Nju Jorku. Hyseni tha se edhe nëse kalon, rezoluta nuk do të ketë pasoja për Kosovën në periudhën afatgjate. Ai u shpreh i bindur se gjykata ndërkombëtare do ta marrë një vendim të drejtë, që sipas tij, është “hedhja poshtë e kërkesës serbe”. Më 8 tetor, 192 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme do të debatojnë draft-rezolutën e paraqitur nga Serbia për një opinion të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. BE do të përpiqet të mbajë një pozicion të përbashkët për çështjen e Kosovës dhe parashikohet që Unioni do të abstenojë. Beogradi ka deklaruar dy objektiva me këtë iniciativë. E para është marrja e opinionit që do të kërkojë kohë, duke bllokuar kështu njohjen e pavarësisë nga vende të tjera. E dyta, rikthimin me Prishtinën në tryezën e bisedimeve mbi çështjen e statusit. Javën e kaluar sipas një parashikimi në OKB, 120 vende janë pro nismës serbe nga 192 anëtarë, sipas të përditshmes gjermane “Handelsblatt”.
Pse i thonë “jo” pavarësisë
Rreth 50 vende e kanë njohur Kosovën, por 140 jo. Mes tyre që mbështesin Serbinë dhe do të votojnë pro nismës serbe janë:
Afrika e Jugut
“Afrika e Jugut bën thirrje për negociata të mëtejshme”, citoi Ministria e Jashtme.
Algjeria
“Ka ligje ndërkombëtare që duhen respektuar”, tha ministri i Jashtëm, Mourad Medelci.
Angola
“Shprehim solidaritetin me Serbinë për mbrojtjen e integritetit territorial”, tha Eduardo Dos Santos, presidenti i vendit.
Argjentina
“Po ta njihnim Kosovën pa miratimin e Serbisë do të provokonim precedent të rrezikshëm, që kërcënon seriozisht shanset tona për një zgjidhje politike të çështjes së Ishujve Falkland”, tha Jorge Taiana, ministri i Jashtëm.
Azerbajxhan
“Ne e shohim këtë akt ilegal si shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Azerbajxhani tërhoqi trupat nga KFOR si protestë ndaj pavarësisë”, tha ministri i Jashtëm.
Brazil
“Qeveria braziliane do ta njohë pavarësisë vetëm pasi ta njohë Serbia. Duhet të ketë një zgjidhje të paqme nën rezolutën 1244”, tha Celso Amorim, ministri i Jashtëm.
Kina
“Lëvizja e njëanshme nga Kosova çon në pasoja serioze. Kina është e shqetësuar për ndikimin e kësaj në stabilitetin Ballkanit dhe bën thirrje për vazhdim të negociatave”, tha ministri i Jashtëm kinez.
Qipro
“Qipro nuk do ta njohë kurrë një deklaratë të njëanshme pavarësie jashtë strukturës së OKB-së dhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit”, deklaratë e Ministrisë së Jashtme.
Gjeorgjia
“Tbilisi nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Me gjithë orientimin politik në unanim mbi këtë pikë”, u shpreh Davit Bakradze, ministri i Jashtëm.
Greqia
“Greqia favorizon zgjidhjen me marrëveshje reciproke, duke respektuar ligjet ndërkombëtare”, tha Yannis Valinakis, zv/ministër i Jashtëm.
India
“Pozicioni ynë i vazhdueshëm është respektimi i integritetit territorial së të gjitha vendeve”, tha ministri i Jashtëm indian.
Indonezia
“Indonezia nuk e sheh Kosovën si çështje fetare, por si problem politik dhe kërkon respektimin e integritetit territorial si vend anëtar i OKB-s”, tha Hassan Wirajuda, ministër i Jashtëm.
Iran
“Pasi shqyrtoi kushtet e rajonit, Irani vendosi të mos ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Mahmoud Ahmadinexhad, presidenti.
Izraeli
“Izraeli nuk do ta njohë Kosovën, pjesërisht Palestina mund të përdorë njohjen e Kosovës për të justifikuar pavarësinë e tyre të njëanshme”, citoi ministria e jashtme izraelite.
Kazakistani
“Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet, duke respektuar principet e KB dhe integritetin territorial”, citoi Ministria e Jashtme.
Libia
“Libia mbështet fuqishëm pozicionin e Serbisë, dhe e quan shpalljen e njëanshme një akt ilegal”, deklaroi Ministria e Jashtme libiane
Zelanda e re
“Ne nuk mund të bëjmë kurrë njohje në rrethana të tilla”, tha kryeministri Helen Clark
Rumania
Parlamenti votoi kundër njohjes me 357 vota kundër 27.
Rusia
“Pavarësia e njëanshme e Kosovës është një precedent i tmerrshëm për të gjithë sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare për të cilin janë dashur shekuj të ndërtohet dhe është precedent për separatistët e tjerë”, tha Vladimir Putin, kryeministër.
Sllovakia
“Nuk përjashtoj mundësinë, që Sllovakia nuk do ta njohë kurrë Kosovën që është pjesë integrale e Serbisë”, tha kryeministri Robert Fico.
Spanja
“Ne nuk e njohim pasi kjo lëvizje nuk respekton ligjet ndërkombëtare”, tha Miguel Angel Moratinos, ministri i Jashtëm.
Sri Lanka
“Akti do të sjellë precedentë të paimagjinueshëm në respektimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe është kërcënim për paqen ndërkombëtare”, citon Ministria e Jashtme.
Vietnam
“Pavarësia e njëanshme e Kosovës nuk është zbatimi korrekt i rezolutës 1244 dhe komplikon situatën në rajon”, tha ambasadori në OKB, Le Loung Minh.
Ndërkohë nisma serbe nuk është mirëpritur nga SHBA dhe BE. Nëse Asambleja e OKB-së vërtet voton pro nismës Serbe, Gjykatës së Hagës do t’i duhetn disa vite për të sqaruar çështjen. Kjo do të thotë situatë të tensionuar dhe konflikt të ngrirë në terren.