Zgjerimi i portit, ngec zona e peshkimit
DURRES - Ndryshimi i projektit për zgjerimin e Portit detar të Durrësit, pikërisht në kalatën perëndimore, bllokon punimet për ndërtimin e portit të peshkimit ngjitur me të. Ndërtimi i portit të peshkimit duhej të niste në qershor të këtij viti, por gjërat nuk kanë lëvizur aspak dhe peshkarexhat vazhdojnë të qëndrojnë në portin e vjetër jashtë të gjitha normave dhe të rrezikuara nga përplasjet me tragetet. Derisa të ndërtohet porti i ri i peshkimit, anijet do të vazhdojnë të rrezikojnë nga aksidentet detare pasi kalata aktuale nuk i mban të gjitha. Rreziku shtohet më tej dhe për shkakun se fare ngjitur është kalata e trageteve dhe në kohë të keqe rrezikojnë të përplasen me peshkarexhat. Në vitin 2004 u vendos ndërtimi i portit të peshkimit sipas projektit të BB-së, me kredinë 10 milionë euro të Bankës Islamike. Prej disa vitesh flota e peshkimit, e vendosur në afërsi të terminalit të trageteve si dhe të firmës KURUM është bërë pengesë, duke rrezikuar jo vetëm ndotjen e basenit, por edhe duke vënë në dyshim sigurinë portuale për të cilën është punuar prej tre vitesh në mënyrë intensive. Flota e peshkimit e përbërë nga afro 100 mjete, prej të cilave vetëm 60 në gjendje punë dhe të certifikuara nga regjistri detar për gjueti e lundrim. o.u