E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e rinj të Italisë “Tani nuk na trembin më”

 

Një raport i publikuar në gazetën prestigjioze italiane “Corriere della Sera”, i përshkruan shqiptarët e sotëm të Italisë, si njerëz të integruar plotësisht në shoqëri, përkundër reputacionit të tyre të keq si mafiozë dhe kriminelë gjatë viteve të para pas zbarkimit në vendin fqinj. Me ardhjen e shqiptarëve të fillim të viteve ’90, Italia zbuloi se ishte kthyer nga vend emigrantësh në vend imigracioni. Fluksi i shqiptarëve pati një klimë mikpritjeje. Që në vitin 1990 (me rreth 800 refugjatë në ambasadën italiane) edhe në mars 1991 (25.000 shqiptarë zbritën nga anijet në porte të ndryshme të Pulias pas liberalizimit të pasaportave) emigrantët u mirëpritën në Itali, shkruan gazeta. Por gjendja u përkeqësua kur pas katër muajve, në gusht rreth 20.000 shqiptarë të nisur nga Vlora u rikthyen në shtëpi menjëherë pas zbarkimit. Imazhet televizive të kohës tregonin dyndjen e tyre në stadiumin e Barit para kthimit të detyrueshëm. Ajo anije i dha idenë e një kërcënimi duke u pasuar me gomonet dhe skafistët. Rreth 200.000 persona kanë zbarkuar në Pulia nga viti ’91 në 2000. Në vitin 2000 shqiptarët renditen të parët në klasifikimin e të huajve të denoncuar për krime të rënda, me një kuotë prej 16,1 për qind. Një shifër e cila e kombinuar me episode të veçanta kriminaliteti, më të pranishme në veri dhe në qendër, ka bërë që shqiptarët të dukeshin si shumë në numër, madje tepër për italianët. Dhe shumë “të këqij”. Në Milano thuhej se edhe anëtarë të Ndragetës kishin frikë nga shqiptarët. Në vitin 2000, situata ndryshoi dhe sot ka mbetur vetëm një shenjë e largët. Të jesh shqiptar nuk do të thotë të jesh kriminel. Shqiptarët janë integruar më së miri dhe kanë hapur edhe biznese të vogla. “Në vendin e punës shqiptarët gëzojnë një reputacion të mirë: të disponueshëm, të besueshëm, të respektuar ndaj autoriteteve dhe mbi të gjitha që punojnë pa u lodhur, duke respektuar oraret”.
“Corriere della sera”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›