Sejdiu letër Ban Ki Munit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, iu përgjigj dje zyrtarisht letrës së sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Ban Ki Mun, mbi propozimin për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe dislokimin e misionit të ri të BE-së, EULEX. Në letrën e bërë publike nga RTK-ja, kreu i shtetit të Kosovës shprehu angazhimin e institucioneve vendore për të punuar ngushtë me OKB-në në angazhimet e saj të mëtejshme në Kosovë. Në përgjigjen e tij, Sejdiu shprehej se institucionet e Kosovës janë të hapur ndaj propozimit për të diskutuar aranzhimet e mundshme praktike, për të adresuar kërcënimet ndaj stabilitetit të shtetit. “Vlerësojmë zotimin tuaj për t’u konsultuar ngushtë me ne, pasi aranzhime të tilla nuk janë të mundshme pa pjesëmarrjen dhe aprovimin e qeverisë së Kosovës. Stabiliteti i qëndrueshëm në vendin tonë do të vijë nëpërmjet zhvillimit të një shoqërie multietnike, që qeveris vetveten në mënyrë demokratike. Korniza për angazhimet tona do të jetë plani i hartuar nga i Dërguari juaj i Posaçëm, Marti Ahtisari. Ky plan i aprovuar me shumicë dërrmuese nga Kuvendi i Kosovës, vazhdon të gëzojë përkrahje të gjerë nga populli i Kosovës”, - thuhej në letrën e presidentit kosovar.